Lajmet e fundit

Nga punëtoria e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 10.10.2011




U mbajt punëtoria “Mbikëqyrja parlamentare e buxhetit dhe financave publike: një program mbështetjeje për Kuvendin e Kosovës”
Malaj, Blaauw e Valk folën për procedurat e hartimit të buxhetit vjetor në shtetet e tyre, shqyrtimin nëpër komisionet e parlamentit dhe miratimin e tij, shpenzimin dhe hapat e tjerë përcjellës, për agjensionet e pavarura etj.

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në kuadër të projektit “Mbikëqyrja parlamentare e buxhetit dhe financave publike: një program mbështetjeje për Kuvendin e Kosovës”, të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës dhe implementuar nga EWPPP dhe KIPRED, ka mbajtur sot një punëtori, në të cilën, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Arben Malaj dhe ish-deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Holandës, Jan Dirk Blaauw e Gerrit Valk, kanë pasqyruar përvojën në parlamentet e vendeve të tyre.

Punëtoria u kryesua nga kryetarja e Komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila, duke i falënderuar pjesëmarrësit për prezencën, bëri një përshkrim të punës së komisionit që ajo udhëheq, si dhe detyrave e sfidave më të cilat ai përballet. Në këtë kontekst, ajo foli për punën në kompletimin e legjislacionit që ka të bëjë me politikën fiskale, ecurinë e miratimit të ligjeve për sektorin bankar, sfidat në raport me institucionet e pavarura etj. 

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh nënkryetar i Komisionit parlamentar për Financa dhe Ekonomi dhe ish-ministër i këtij sektori, bëri një elaborim të detajuar të procedurave të hartimit të buxhetit vjetor të shtetit, shqyrtimit të tij nëpër komisionet parlamentare dhe miratimit në Kuvend, të shpenzimit dhe hapave përcjellës të tij. Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit, ai ngriti si shqetësim ndryshimet e shpeshta të buxhetit pas miratimit të tij në Parlamentin shqiptar, keqpërdorimin elektoral të buxhetit, raportin ndërmjet ligjit dhe akteve nënligjore etj. Ai gjithashtu, u ndal edhe në transparencën e Kuvendit gjatë procedurave të shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit, si dhe rolit të opozitës gjatë këtij procesi.

Ekspertët e EWPPP-së, njëherësh ish-deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Holandës, Jan Dirk Blaauw e Gerrit Valk, folën për praktikën holandeze të shqyrtimit dhe të miratimit të buxhetit, si dhe funksionimit të agjensioneve të pavarura.

Blaauw foli për mënyrën se si qeveria e përcakton buxhetin para se të arrijë në komisionin përkatës parlamentar, rregullat e disiplinës buxhetore, afatet kohore të shqyrtimit dhe miratimit, deri te rishqyrtimi i tij. Valk, ndërkaq, u fokusua në punën e agjensioneve të pavarura, të cilat, sipas tij, janë pjesë e buxhetit të ministrive përkatëse të linjës. Ata iu përgjigjën interesimit të anëtarëve të komisionit në çështje të ndryshme, si: mënyra e mbikëqyrjes së zbatimit të buxhetit, mënyra hartimit të buxhetit për Gjykatën Kushtetuese etj.

Nga punëtoria e Komisionit për Buxhet dhe Financa