Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi falënderon homologun kuvajtian, Al Kharafi
, 11.10.2011
Njohja e Republikës së Kosovës nga Kuvajti, është dëshmi e miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë, por edhe e angazhimit Tuaj personal që ajo të vinte sa më parë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ka falënderuar sot homologun e tij kuvajtian, Jassem Mohammad Al Kharafi, kryetar i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, për vizitën miqësore në Kosovës dhe për njohjen e Kosovës nga shteti i Kuvajtit.
Në letrën falënderuese të z. Krasniqi thuhet:
I nderuar z. Al Kharafi
Nëpërmjet të kësaj letre dëshiroj edhe njëherë t’ju falënderoj për vizitën që i bëtë Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të saj.
Njohja e Republikës së Kosovës nga Kuvajti, është dëshmi e miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë, por edhe e angazhimit Tuaj personal që ajo të vinte sa më parë. Kjo njohje ka domethënie të veçantë për Kosovën dhe institucionet e saj, pasi jemi në përpjekje për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë.
Në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim, dëshiroj të falënderoj për këtë akt miqësie, Kuvajtin mik, Princin e tij, Kryeministrin dhe Juve personalisht, duke ju siguruar për ndjenjën e lartë të miqësisë që populli ynë ka për Kuvajtin, për popullin kuvajtian dhe përfaqësuesit e tij.
Duke shprehur bindjen për thellimin e vazhdueshëm të miqësisë dhe marrëdhënieve tona, ju siguroj për konsideratat e mia të larta.