Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 11.10.2011
U përkrahën katër projektligje me amendamentet e komisioneve funksionale
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Safete Hadergjonaj, kryetare e komisionit, u shqyrtua kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe kërkesa e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për transferimin e mjeteve buxhetore.
Pas sqarimeve që dhanë përfaqësues të AKP-së, MMPH-së, si dhe të Ministrisë së Financave, anëtarët e komisionit përkrahën këto dy kërkesa, sikurse që mbështetën edhe kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Mbeturina për buxhet shtesë për kompensimin e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues për zgjidhjen e ankesave ndaj vendimeve të Rregullatorit. U tha se ZRRUM-i duhet të gjejë zgjidhje brenda buxhetit të kësaj zyre.
Anëtarët e komisionit përkrahën edhe katër projektligje tjera, me amendamentet e komisioneve funksionale: Projektligji për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Projektligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Projektligji për Statistikat Zyrtare në Republikën e Kosovës , si dhe Projektligji për Tregti me Jashtë.
U shqyrtua edhe Projektligji për Hekurudhat e Kosovës, me raportin e amendamenteve të komisionit funksional. Me disa ndryshime që u propozuan gjatë këtij takimi, edhe Projektligji për Hekurudhat e Kosovës mori mbështetjen e anëtarëve të komisionit.