Lajmet e fundit

Kryeparlamentari dr. Jakup Krasniqi takoi komandantin e FSK-së

, 10.10.2011




Kreu i Kuvendit vlerësoi lartë kontributin e gjeneral Selimit dhënë në zhvillimin e FSK-së

Kreu i  Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralin Sylejman Selimi. Komandanti i FSK-së, me këtë rast e njoftoi kryetarin për të arriturat e FSK-së në të gjitha fushat, me theks të veçantë për bashkëpunimin e mirë në mes të FSK-së dhe strukturave ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Duke folur për strukturën nacionale të FSK-së, gjeneral Selimi e njoftoi kreun e Kuvendit Krasniqi, se në FSK janë të inkuadruar edhe pjesëtarë të komunitetit pakicë në Kosovë.

Në këtë takim, u fol edhe për Ligjin e pensioneve për pjesëtarët e FSK-së. Në takimin e sotëm, gjeneral Selimi, e njoftoi kreun e Kuvendit se do të largohet nga kreu i FSK-së,  si dhe për organizimin që është duke u bërë lidhur me ndërrimin e komandës së FSK-së, e cila do të bëhet  më 22 nëntor.

Kreu i Kuvendit, ndërkaq, vlerësoi lartë kontributin e gjeneral Selimit dhënë në zhvillimin e FSK-së. Kryetari Krasniqi, po ashtu e falënderoi atë edhe për informimin që i bëri dhe i uroi sukses në detyra të reja.

Kryeparlamentari dr. Jakup Krasniqi takoi komandantin e FSK-së