Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik ...
, 11.10.2011
Me ftes të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, të Kuvendit të Kosovës, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë, në mbledhjen e sotme të Komisionit njoftoi lidhur me gjendjen e infrastrukturës në vend dhe planet e Ministrisë së Infrastrukturës në të ardhmen.
Kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, duke falënderuar ministrin për prezencën dhe gatishmërinë e tij që t’i përgjigjet interesimit të Komisionit, foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Komisionit dhe ministrisë. Pajaziti me këtë rast e siguroi ministrin për mbështetje të pa rezervë nga ana e Komisionit.
Ministri Mujota, ndërkaq, nga ana e tij i falënderoi anëtarët e Komisionit për bashkëpunimin e deritashëm. Në vijim, Mujota paraqiti një ekspoze të gjerë të punës shtatë mujore të ministrisë (për aq sa ai drejton këtë ministri). Lidhur me këtë, ministri tha se objektiv i MI-së ka qenë realizimi i planit të punës për vitin 2011, duke u kushtuar vëmendje të posaçme projekteve të reja dhe kompletimit të infrastrukturës ligjore.
Ai në vijim foli për Autostradën Vërmicë-Merdare (R7), për të cilin tha se ky projekt ka avancuar shumë gjatë vitit 2011. Lidhur me këtë projekt, ministri Mujota po ashtu njoftoi se kilometrat e parë do të lëshohen për qarkullim deri në fund të muajit tetor, ndërkaq ftoi anëtarët e Komisionit që të vizitojnë punimet e këtij projekti.
Lidhur me cilësinë e punëve të kryera në Autostradën Vërmicë-Merdare (R7), ministri Mujota vlerësoi se punimet e kryera deri tani rezultojnë me cilësi dhe standarde të larta.
Ai në vijim foli edhe për Inspektoratin, Transportin, Aviacionin Civil, Departamentin e Automjeteve, Administratën dhe Departamentin Ligjor pranë MI-së, për të cilat paraqiti sfidat dhe sukseset gjatë punës së deritashme. Në vazhdën e kësaj, me theks të veçantë ai foli për realizimin e buxhetit dhe marrëveshjet e bashkëpunimit. Deri më tash, vijoi ministri, për paga dhe mëditje janë shpenzuar 72% e buxhetit të paraparë për këtë kategori, 74.8% për mallra dhe shërbime, 61% për shërbime komunale, 53% subvencione dhe transfere, ndërkaq, për investime kapitale janë shpenzuar 89.2%.
Duke folur për marrëveshjet e bashkëpunimit, ministri vuri në pah marrëveshjet e nënshkruara në mes të MI-së dhe Bullgarisë, Turqisë, Belgjikës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Duke iu referuar projekteve të reja të kësaj ministrie, Mujota njoftoi për projektin e Autstradës Prishtinë-Shkup, me ç’rast anëtarëve të Komisionit u shpërndau nga një kopje të këtij projekti, për të cilin tha se do të fillojë së realizuari në vitin 2013. Pas kësaj, ministri iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe propozim-agjendën e kryetarit të Komisionit për angazhimet gjatë muajve në vijim.