Lajmet e fundit

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua një delegacion të Parlamentin e Studentëve dhe me Këshillin Qendror të Veprimit Rinor

, 19.10.2011




Anëtarë të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës u takuan sot me një delegacion të Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, takim ky në të cilin morën pjesë deputetja Ganimete Musliu, njëherazi edhe kryetare e këtij grupi, si dhe deputetët anëtarë të këtij grupi Armend Zemaj dhe Valbona Dibra si dhe përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Mentor Hasani, Haxhi Luma dhe Selim Daku. Takimi u realizua me qëllim që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj të informohet direkt me problemet dhe sfidat e rinisë në Kosovë e veçanërisht sfidat e studentëve në universitetin publik të Prishtinës.

Takimi filloi me një prezantim të shkurtër të punës dhe funksionimit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj që u bë nga kryetarja Ganimete Musliu. Ajo tha që grupi është grup mbi politik që për qëllim ka mbrojtjen dhe fuqizimin e rinisë brenda Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të tjera. Delegacioni i Parlamentit të Studentëve të UP-së shprehu kënaqësinë që ekziston një grup i tillë parlamentar, i cili, edhe pse funksionon në mënyrë vullnetare, interesohet për problemet e rinisë së Kosovës me theks të veçantë, rininë universitare.

Të pranishmëve iu drejtua edhe deputeti Armend Zemaj, i cili i siguroi studentët që mund të llogarisin në përkrahjen e deputetëve të rinj në zgjidhjen e problemeve të tyre, nëse ato janë brenda fushveprimtarisë së deputetëve. Ai, po ashtu, i këshilloi përfaqësuesit e studentëve që të merren me problemet ditore të tyre dhe mos të lejojnë që politikat jashtë-universitare të ndërhyjnë në punët e tyre. Zemaj më tutje tha që deputetët e rinj i kuptojnë më së miri problemet e rinisë studentore, sepse në të kaluarën e afërt kanë qenë edhe ata studentë.

Ndërkohë deputetja Valbona Dibra shprehu vullnetin për ta përkrahur idenë e bashkëpunimit me Parlamentin Studentor dhe avancimin e agjendës së përbashkët për fuqizim të rinisë. Ajo po ashtu shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në aktivitete që prekin interesin e përbashkët të rinisë. Ajo gjithashtu tha që mund të organizojnë vizita në kampusin universitar për të parë gjendjen aktuale të kampusit.

Për fund, që të dy palët shprehën vullnetin që takime të ngjashme të ndodhin edhe në të ardhmen, në mënyrë që të koordinohen përpjekjet për fuqizimin dhe zgjedhjen e problemeve rinore në çdo fushë.

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj, po ashtu u takua edhe me Këshillin Qendror të Veprimit Rinor, me përfaqësuesit: Mensur Morina, Edis Prapashtica dhe Leotrim Gërmizaj. Përfaqësuesit e këtij këshilli kërkuan nga deputetët e rinj që të marrin iniciativë për ndryshimin e dy neneve të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, neni që ka të bëjë me moshën (24 vjeç), në mënyrë që ky numër të rritet, si dhe neni që ka të bëjë me financimin e këtyre strukturave ligjore të rinisë, duke e obliguar qeverinë që ta financojë këtë këshill. Deri më tani këtë këshill e kishte përkrahur vetëm ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me shuma simbolike sa për sistemimin në një zyrë, mirëpo ajo çka realisht i nevojitet këtij këshilli është financimi afatgjatë i rregulluar me ligj, e që do t'i ndihmonte në organizimin e konferencës vjetore si dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda për brenda. Përfaqësuesit nga ky këshill gjithashtu informuan deputetët që në qershor do të përpilojnë edhe strategjinë 2012-2017.

Nga ana tjetër deputetet duke i inkurajuar këta të rinj që të promovohen fillimisht, meqë janë struktura të reja të formuara në bazë të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, gjithashtu kërkuan nga ata që ndaj tyre të jenë më kërkues dhe t'i angazhojnë deputetët e rinj për fushat ku këta të fundit mund të japin kontributin e tyre.

Këto takime ishin në vazhdimësinë e takimeve që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj është duke realizuar me organizata dhe struktura që kanë lidhje me fushëveprimtarinë e këtij grupi.

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua një delegacion të Parlamentin e Studentëve dhe me Këshillin Qendror të Veprimit Rinor