Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese

, 21.10.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot delegacionet e gjykatave kushtetuese të: Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Turqisë dhe Portugalisë, përkatësisht, Bashkim Dedja, Prof.dr. Jasna Omejec, Branko Naumovsiki, Recep Komurcu dhe Gil Galvao, me bashkëpunëtorë të tyre, të shoqëruar nga Prof.dr. Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Duke e vlerësuar tepër të rëndësishëm funksionimin e pavarur të Gjykatës Kushtetuese në një vend demokratik, krryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese për gjendjen në Kosovë, për punën e Kuvendit dhe mbështetjen që i jep legjislativi i vendit integritetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai ka theksuar përparimet që janë bërë në Kosovë për forcimin e demokracisë dhe për funksionimin e shtetit ligjor, duke i përmendur reformat e shumta që janë kryer në ndërkohë, e posaçërisht në lëmin e drejtësisë. Obligim yni është që të krijojmë një sistem sa më të përshtatshëm të drejtësisë për qytetarët e Kosovës, ka thënë Krasniqi, duke u shprehur i bindur se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka çfarë të mësojë nga gjykatat simotra të vendeve demokratike të Evropës.

Kryeparlamentari i Kosovës në këtë takim ka folur edhe për standardet e larta për përfaqësim demokratik, për garantimin e lirive dhe të drejtave të bashkësive etnike pakicë, sidomos për qytetarët serbë të Kosovës.

Përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese e kanë falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për sqarimet dhe për vlerësimin e punës së tyre. Ata e kanë vlerësuar lart edhe punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila, megjithëse pa ndonjë përvojë të gjatë pune, ka arritur standarde të larta të punës profesionale. Ata kanë mbajtur qëndrim që ta mbështesin anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës në Federatën e Gjykatave Kushtetuese të Evropës.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese