Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Popovski
, 21.10.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ministrin e punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Popovski, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe mundësisë së thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
Duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen, ministri i jashtëm maqedonas i vlerësoi lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa, shtroi nevojën e zgjerimit të tij, me theks të veçantë atij biznesor. Përkitazi me këtë, ai e vlerësoi të nevojshëm zhvillimin e mëtejmë të infrastrukturës, gjë e cila do të ndihmonte në bashkëpunimin edhe më të madh tregtar ndërmjet dy vendeve dhe rajonit.
Ministri i jashtëm maqedonas foli edhe për procesin e integrimeve evropiane, si synim kryesor i të gjitha vendeve të rajonit, veçanërisht për mbështetjen që Maqedonia i jep Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Kryeparlamentari Krasniqi, e falënderoi z. Popovski për mbështetjen që ai dhe vendi i tij japin për Kosovën në proceset integruese. Kreu i legjislativit foli për zhvillimet brenda Kuvendit të Kosovës dhe bashkëpunimin që ai ka me parlamentet e vendeve të rajonit dhe më gjerë. Në këtë kontekst, çmoi bashkëpunimin me Parlamentin e Maqedonisë, duke shtruar nevojën e zgjerimit të mëtejmë të tij.
Kreu i Kuvendit të Kosovës u ndal edhe në zhvillimet e fundit në veri të vendi, me ç'rast theksoi se qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë pjesë, janë të terrorizuar nga grupet kriminale dhe barrikadat që ato kanë ngritur atje. "Bllokimi i rrugëve nuk ndihmon në procesin e integrimeve evropiane, në të cilat po synojmë të shkojmë të gjithë ne", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.