Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

, 27.10.2011




Kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi, i cili e ka drejtuar seancën e sotme, që në fillim i ka njoftuar deputetët për minutazhin e diskutimeve që i takon,parashtruesit të kërkesë për interpelancë, kryeministrit të Kosovës që paraqet interpelancën dhe grupeve parlamentare për debat parlamentar.

Menjëherë pas kësaj është ftuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që në emër të i Lëvizjes Vetëvendosje!, ta paraqesë kërkesën e këtij për interpelancë.

Duke pohuar se shumëkush kishte pritur që Qeveria më 25 korrik, duke ndërmarrë veprime në veri për po synonte të vinte nën kontroll pikat doganore dhe ta shtrinte sovranitetin e në atë pjesë të territorit të Kosovës, porse shumë shpejtë u pa, ka pohuar Konjufca , se veprimet e Qeverisë nuk ishin për shtrirje të sovraniiutetit por për negociata me Serbinë. Ai tutje ka theksuar tërheqjen e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe lënien pa mbrojtje të këtyre pikave doganore, të cilave iu vu zjarri nga bandat kriminele serbe. "Çfarë shteti paskëshim ndërtuar, kur nuk paska kapacitete të mjaftueshme institucionale për t'i neutralizuar njëqind banditë të strukturave paralele" . i ka pyetur Konjufca deputetët, duke u përgjigjur vetë se nuk është puna tek kapacitetet e Kosovës, por tek vullneti politik i Qeverisë. Nga 26 korriku, ka vazhduar ai, gjithë veriu u është lënë në dispozicion bandave kriminale. Tani Qeveria po merret me konferenca shtypi në Prishtinë dhe mburret me aksionet e KFOR-it, ka theksuar ai duke pohuar se tani strukturat paralele në veri kanë marrë kompetencat e KFOR-it, duke treguar se kush mund të ushtrojë e kush jo të drejtën e lëvizjes në atë pjesë të territorit të Kosovës. Pastaj Konjufca i ka lexuar tetë pikat me shkrim të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje! për interpelancë.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në fillim të interpelancës së tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka pohuar se e mirëpret kërkesën për interpelancë parlamentare për çështjen e situatës politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, duke shtuar se dëshiron të besojë se kërkesa për interpelancë është bërë me qëllimin më të mirë.

'Të gjithë e dimë që situata në veriun e Kosovës nuk është krijuar tani, as para tri viteve. Situata në veri të Kosovës është trashëguar që nga përfundimi i luftës sonë çlirimtare dhe vendosja e Administrimit ndërkombëtar të UNMIK-ut në Kosovë. Ne të gjithë i dimë dhe ende i kemi të freskëta veprimet gjenocidiale të Serbisë dhe politikën e saj të spastrimit etnik ndaj Kosovës. Fatkeqësisht, kjo politikë e shekullit të kaluar, ende përdoret nga Serbia në relacion më Kosovën, por tani në një formë të kamufluar për shkak të përpjekjes për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar për veprimet e saja kriminale në Kosovë", ka theksuar Thaçi, duke përkujtuar deputetët se pas vitit 1999, megjithëse Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë kishte përgjegjësinë në bazë të rezolutës 1244 për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës, UNMIK nuk e bëri një gjë të tillë dhe situata atje është përcjell nga një kaos total ndërsa politika e administrimit ndërkombëtar të OKB-së ka pasur qasje të ndara dhe të ndryshme të administrimit të Kosovës veriore dhe pjesës tjetër të Kosovës.

Ai tutje ka theksuar se duke shkelur mandatin e vet dhe duke vepruar në një formë jo transparente, Administrata e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës ka ndihmuar në ndarjen de fakto ndërmjet serbëve dhe bashkësive të tjera etnike që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës."Duke lejuar papengesë veprimtarinë ilegale të strukturave paralele, Administrata e UNMIK-ut atje në formë direkte ose indirekte ka ndihmuar strategjinë e Beogradit në vendosjen e strukturave për kontrollimin e territorit në pjesën veriore të Kosovës dhe kështu ka shkelur integritetin territorial të Kosovës por edhe vet Rezolutën 1244" ka theksuar kryeministri, duke përmendur gjithashtu tolerimin e funksionimit të pjesshëm të pikave kufitare 1 dhe 31, mosfunksionimin i gjykatave në veri, krijimin i monopoleve ekonomike të qendrave të krimit të organizuar dhe përkrahje e këtyre strukturave nga ana e Beogradit, të cilat kanë krijuar situatën e tanishme në veri të Kosovës.

Duke theksuar se nuk dëshiron që për këtë të fajësojë qeveritë e mëparshme, sepse mendon që sot është koha që ne jemi të bashkuar si kurrë më parë, në qëllimin tonë legjitim për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës dhe vendosjen e sundimit të rëndit dhe ligjit, Thaçi ka pohuar se një gjendje e tillë e akumuluar me vite, si dhe shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka nxitur reagimin edhe më të madh dhe të planifikuar të ekstremisteve serbë, duke djegur pikat kufitare, shtuar kriminalitetin dhe sfiduar sundimit e ligjit në atë pjesë të Kosovës.

"Gjendjen e ka vështirësuar edhe qëndrimi jo i qartë apo neutral ndaj Pavarësisë së Kosovës i disa misioneve ndërkombëtare që kanë vepruar dhe janë duke vepruar në Kosovë", ka konstatuar Thaçi.

Në vazhdim Thaçi ka folur për përpjekjet dhe aktivitetet e Qeverisë në drejtim të ndryshimit të situatës dhe integrimit të këtij territori kanë qenë të vazhdueshme, të cilat e ka ndarë në tri periudha:

1. Periudha deri në vitin 2008, pra deri me shpalljen e Pavarësisë dhe e cila u përshkrua nga mungesa totale e sundimit të ligjit dhe rendit në atë pjesë të Kosovës, dhe mungesa e iniciativës dhe përpjekjeve të institucioneve të nivelit qendror për të shtrirë sovranitetin.
2. Periudha që nga shpallja e Pavarësisë deri me 25 korrik 2011, dhe
3. Periudha pas 25 korrikut 2011 dhe deri më tani.

Thaçi ka folur edhe për investimet DHE ndihmat për qytetarët në veri të Kosovës. "'Qeveria gjatë kësaj periudhe ka investuar me miliona euro në infrastrukturë rrugore, rindërtim të shtëpive dhe ofrim sa më të mirë të shërbimeve ndaj të gjithë qytetarëve tanë të asaj pjese. Si rezultat, vetëm pas vitit 2008 kemi fillimin e kthimit të banorëve shqiptarë në shtëpitë tyre të rindërtuara në pjesën veriorë të Kosovës'", ka pohuar Thaçi, duke pikasur se Strategjia për veriun ishte një përkushtim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës, duke emëruar Koordinatorin për Zbatimin e Strategjisë së Veriut, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, duke hapur Zyrën për Regjistrim Civil dhe duke i vazhduar investimet si në rindërtimin e shtëpive për të kthyerit në pronat e tyre ashtu edhe në sektor të tjerë.

"Kthesa vendimtare për lëvizjen nga status quoja për situatën ne veri të Kosovës me plot bindje e them se ka qenë vendimi i 25 korrikut. Vendimi për ndërhyrje për vënien në kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 nga ana e policisë së Kosovës ka qenë një vendim i menduar mirë, i planifikuar dhe koordinuar shumë mirë", ka theksuar Thaçi, duke pohuar se ky vendim dhe veprim nuk ka qene i lehte, por ka qene vendim i drejte dhe i domosdoshëm.


Ai është shprehur optimist se një vendim ti tillë ka sjell edhe rezultatet e veta, dhe se rezultati përfundimtar pa do të jetë integrimi i asaj pjese të Kosovës dhe vendosja përfundimtare e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Në vazhdim kryeministri Thaçi ka paraqitur arsye kryesore të marrjes së këtij vendimi, duke i shkoqitur veç e veç si: kontrabanda masive dhe zhvillimi i krimit të organizuar në këtë pjesë të territorit dhe përmes kësaj pjese në pjesën tjetër të territorit të Kosovës; rritja e krimit të organizuar, vendosja e masave të Reciprocitetit etj. „Prandaj vendimi i marrë me 25 korrik dhe veprimet për zbatimin e këtij vendimi kanë sjellë rezultatet, ku masat e reciprocitetit janë zbatuar në plotëni dhe asnjë produkt i Serbisë nuk ka mundur të futet në Kosovë derisa vendimi i tillë ka qenë në fuqi.

Ndërsa rezultatet e këtij vendimi tashmë i dimë të gjithë", ka theksuar Thaçi para deputetëve, duke theksuar se gjendja e krijuar në vazhdimësi në veriun e Kosovës ka pasur ndikimin negative më së shumti mbi qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh etnicitetin e tyre.

„Gjendja e tillë ndikon në zhvillimin normal të shtetit të Kosovës ndërsa direkt prek qytetaret të cilët jetojnë në atë pjesë të territorit" ka spikatur Thaçi, duke shtuar se popullata serbe e asaj pjese të Kosovës tashmë është bërë peng e grupeve të interesave kriminale për përfitime personale. Ai ka pohuar se Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri, por është në konflikt me ata që kanë shkelur rendin dhe ligjin dhe se të gjitha masat e ndërmarra janë në dobi të qytetarëve të Kosovës që duan të jetojnë lirshëm dhe në mënyrë të ndershme në përputhje me rendin kushtetues. Duke folur, ndërkaq, për orkestruesit e barrikadave ka theksuar; „Fundi i tyre nuk është i largët dhe ata nuk do të mund të fshihen përgjithmonë as prapa fëmijëve dhe as grave të pafajshme të cilat janë nxjerr me dhunë dhe forcë në krye të barrikadave". Thaçi, ndërkaq, ka pohuar se Qeveria do t'i ndihmojë qytetarët e zakonshëm që të ndërtojnë jetën e tyre pa frikë nga askush, që të ketë rend dhe ligj, demokraci dhe zgjedhje të lira, dhe lidership legjitim, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të investojë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa, do të përdorim vetëm ligjin dhe drejtësinë e merituar për të gjitha strukturat kriminale e ilegale që veprojnë në veri të vendit, ka thënë kryeministri. Ai ka pohuar se pas suksesit që nga korriku i këtij viti, është plotësisht e qartë dhe botërisht e ditur se Kosova e ka përkrahjen e plotë të botës demokratike dhe duke i përshëndetur në mënyrë të veçantë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Obama për mesazhin e qartë për zhvillimet në veri, të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, vendet e NATO-s, si dhe EULEX-in për rolin aktiv, dinamik e pozitiv që po e luan tani.

„Në agjendën për rend dhe ligj, për jetë të re në veri, sot Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen e të gjithë botës demokratike" ka theksuar Thaçi, duke i garantuar deputetët se nuk do të ketë ndonjë kompromis, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim.

Në vazhdim të seancës shefat grupeve parlamentare kanë prezantuar qëndrimet e grupimeve të tyre politike për gjendjen në veri dhe për veprimet e ndërmarra.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka theksuar PDK-ja gjithmonë ka qenë për debate të çështjeve me interes të përgjithshëm. Ai ka pohuar se problemet në veri janë të qeverive të mëparshme, duke u shprehur i bindur për suksesin e Qeverisë Thaçi për zgjidhjen e problemeve në veri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka theksuar se subjekti i tij politik i ka mbështetur veprimet e Qeverisë në Veri, më 25 korrik, për të shtirë sovranitetin edhe në atë pjesë të Kosovës, ndërsa i ka vlerësuar kriminale veprimet e strukturave paralele serbe që veprojë atje. Ai i ka përshëndetur veprimet e KFOR-it për sigurimin e lëvizjes së lirë në veri, por Qeverinë e ka quajtur vrojtuese të veprimeve të KFOR-it dhe jo bshkëpjesëmarrëse e aktiviteteve për vendosjen e rendit dhe të ligjit.

Duke e analizuar fjalën e kryeministrit Thaçi në këtë interpelancë, Albin Kurti, në emër të Grupit Parlamentar vv., ka theksuar:"Kryeministri me fjalën e tij dëshiron t'i bëjë qytetarët të painteresuar për politikën, sikurse është vetë i painteresuar për qytetarët". Ai në vazhdim ka përkujtuar premtimet e Qeverisë për zhbërjen e strukturave paralele deri në nëntor të këtij viti, si dhe ka prezantuar qëndrimin e tij të njohur dhjetëpikësh për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri të vendit.

Fjalë miradije për veprimet e Qeverisë në veri të vendit ka pasur edhe shefja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myjejene Selmani, duke kërkuar edhe presion të shtuar të vendeve të BE-së, ndaj Serbisë, para se ajo të anëtarësohet në BE.


Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Burim Ramadani, ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është e aftë për ta kthyer sovanitetin në veri të vendit, e duke shtuar se për këtë nuk ka as interesin e as plan.

Në emër të Grupit Parlamentar të SLS-së ka folur, Petar Miletiq, nënkryetar i Kuvendit. Ai ka theksuar se problemet në veri nuk mund të zgjidhen as me dhunë as në mënyrë të njëanshme, si dhe duke e akuzuar Vetvendosjen se po krijon disponim antiserb në Kosovë.

Edhe diskutimet e deputetëve të tjerë në debatin sotëm parlamentar janë përputhur kryesisht me qëndrimet e subjekte4ve të tyre për gjendjen e krijuar në veri.

Në përfundim është nxjerrë për votim mocioni katërpikësh i Grupit „Parlamentar Vetëvendosje!

Në mocion theksohet:

Në bazë të nenit 44, paragrafi 4, pika (d), të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin me rekomandimet në vijim:

 

1. Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, dhe të shpallen të pavlefshme dhe të pazbatueshme secila marrëveshje me Serbinë përderisa ajo nuk na njeh, dhe që ka të bëjë me rregullimin e brendshëm të Kosovës.
2. Qeveria t'i dërgojë forcat policore në veri për ta garantuar integritetin territorial dhe mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës.
3. Institucionet e rendit të Republikës së Kosovës të angazhohen në heqjen e barrikadave dhe pengesave tjera për qytetarët atje.
4. Qeveria t'ua presë burimet financiare strukturave ilegale të Serbisë, t'i arrestojë krerët e tyre dhe t'i shpërbëjë ato".

Mocioni nuk është mbështetur nga shumica e deputetëve (15 vota ishin për, kurse 74 kundër).

 

 

Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit