Lajmet e fundit
Tryezë diskutimi lidhur me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport
, 31.10.2011
Në kuadër të përpjekjeve për të bërë një ligj sa më gjithëpërfshirës dhe të zbatueshëm, NDI-ja dhe Komisioni për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, organizuan sot një tryezë diskutimi lidhur me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport, të cilin e kryesoi Bardhyl Hasanpapaj, drejtor i shërbimit për hulumtime parlamentare në NDI. Me këtë rast përfaqësues të federatave sportive dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës dhanë shumë vërejtje dhe sugjerime në këtë Projektligj. Moto e angazhimeve të përfaqësuesve të sportit kosovar ishte krijimi i bazës së mirëfilltë ligjore, e cila do të mundësonte zhvillimin e sportit, posaçërisht stimulimin e talenteve të rinj, duke siguruar bursa për ata që vazhdimisht identifikohen me rezultate gjithnjë në rritje në gara. Gjatë formulimit të zgjidhjeve ligjore duhet të merren parasysh edhe konventat ndërkombëtare të fushës së sportit.
Gjatë debatit u tha se është e nevojshme që me këtë Projektligj të rregullohet sa më mirë statusi i Komitetit Olimpik, që është ombrellë e sporteve olimpike dhe joolimpike, pastaj statusi i Agjensionit antidpping dhe ai i Këshillit të Arbitrazhit. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në probleme të ndryshme me të cilat ballafaqohet sporti kosovar. Në këtë frymë u parashtrua si domosdoshmëri nevoja e hartimit të Projektligjit për sponzorime, si një parakusht tejet i rëndësishëm për zhvillimin e sportit, meqë në praktikën e deritashme financimi i tij është brengosës. Komisioni për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës u zotua se vërejtjet që u dhanë në këtë debat, si dhe ato që do të dërgohen me shkrim nga asociacionet sportive, do të merren parasysh me rastin shqyrtimit dhe amendamentimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport.