Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

, 01.11.2011




Ligji për liritë fetare në Kosovë i miratuar në vitin 2006 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është i mirë, por disa dispozita të tij nuk përkojnë me realitetin e jetës së përditshme. Kështu u tha sot në dëgjimin publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Suzan Novobërdaliu, kryetare e Komisionit. "Grupi punues për monitorimin e këtij ligji ka vizituar po thuaj të gjitha bashkësitë fetare", tha kryesuesja e grupit punues, Kymete Bajraktari. Ajo më tej shtoi se janë evidentuar ngecjet në implementimin e ligjit, të cilat do të jenë pjesë e raportit. Bajraktari, po ashtu njoftoi se gjatë vizitave të realizuara në teren kanë qenë të mirëpritur nga të gjitha komunitetet fetare, përpos atij të Kishës Ortodokse Serbe, të cilët s'kanë treguar interesim për ligjin dhe nivelin e implementimit të tij. Ajo me këtë rast vlerësoi se Kishës Ortodokse Serbe i bëhet diskriminim pozitiv, në dëm të bashkësive tjera fetare në Kosovë.

Për ligjin dhe nivelin e zbatimit të tij, opinionet e veta i shprehën edhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), të Teqes së Prizrenit dhe Gjakovës dhe të Kishës Protestante Engjëllore të Kosovës. Me këtë rast, përfaqësuesi i Kishës Protestante Engjëllore të Kosovës, Artur Krasniqi, vlerësoi se ligji duhet të përcaktojë qartë pozitën juridike të bashkësive fetare. Po ashtu, Krasniqi u ankua edhe në qëndrimet e institucioneve lokale. Këto institucione, tha ai, nuk japin leje për ndërtimin e objekteve fetare, dhe nuk caktojnë lokacione për varrezat e besimtarëve. Me këto qëndrime, sipas Krasniqit, bëhet shkelje ligjore dhe kërkoi që të merren masa në përmirësimin e këtyre praktikave.

Edhe përfaqësuesi i BIK-ut, përkatësisht sekretari i saj, Resul Rexhepi, vlerësoi se mungesa e statusit juridik të bashkësive fetare paraqet problem të theksuar. Ai tutje shtoi se ligji duhet të rregullojë çështjen e të ardhurave personale për punëtorët e BIK-ut. Duke folur për tolerancën fetare, Rexhepi vlerësoi se sipas ligjit aktual ajo është shumë e avancuar. Por, sipas tij, ligji duhet që me dispozita ligjore ta sanksionojë qartë se deri në çfarë mase mund të tolerohen veprimtaritë fetare.

Në anën tjetër, Sheh Mehmeti dhe Sheh Mehdiu nga Teqja e Gjakovës, përkatësisht Prizrenit, duke folur për tarikatet e besimeve që përfaqësonin, thanë se ato paraqesin kulturë shekullore të besimit islam dhe kërkuan që si të tilla të trajtohen edhe me ligjin për liritë fetare në Kosovë. Ata folën edhe për çështjen e trashëgimisë fetare, për të cilën po ashtu kërkuan që të trajtohet me ligj. Në fund të këtij debati, kryesuesja e grupit punues kërkoi nga të pranishmit që vërejtjet dhe sugjerimet e shprehura të dërgohen edhe me shkrim në Komision.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...