Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane u takua me një delegacion me anëtarë nga Grupi për Kosovën i Parlamentit të Suedisë

, 02.11.2011




Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, u takuan sot me një delegacion nga Suedia me anëtarë të Grupit për Kosovën të Parlamentit të Suedisë. Vizita e këtij delegacioni kryesohej nga kryetari i këtij grupi, z. Jonas Gunnarsson (Partia Social Demokrate), ndërkaq në përbërje të delegacionit suedez ishte edhe deputeti me prejardhje nga Kosova, z. Adnan Dibrani (PSD).

Gjatë këtij takimi delegacioni nga Suedia fillimisht informoi komisionin parlamentar rreth krijimit të Grupit të Miqësisë, duke sqaruar se Grupi për Kosovën i Suedisë është grupi i parë i themeluar në Parlamentin e Suedisë, për vendet e Ballkanit Perëndimor, me iniciativë të z. Dibrani.

Me këtë rast u theksua se Grupi për Kosovën ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit parlamentar mes Suedisë dhe Kosovës, si dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes këtyre dy vendeve, gjë e cila mori mbështetjen edhe nga anëtarët e komisionit.

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, njoftoi delegacionin nga Suedia për sfidat me të cilat është ballafaquar Kosova para dhe pas statusit të saj. Duke dhënë një vështrim të gjerë rreth punës së Kuvendit dhe punës së institucioneve të vendit, Haziri mes tjerash foli edhe për njohjet e pavarësisë së vendit nga 85 shtete, ndërsa theksoi se mosnjohja e pavarësisë nga 5 shtetet të BE-së, vështirëson procesin drejt integrimit evropian.

"Agjenda evropiane është brenda parlamentit dhe ne si deputetë monitorojmë punën e Qeverisë dhe jemi mjaft të angazhuar që ta kryejmë pjesën tonë të punës në mënyrën më të mirë. Herët apo vonë ne do të bëhemi pjesë e familjes së madhe të BE-së", tha Haziri.

Anëtarët e komisionit parlamentar për integrime evropiane duke vlerësuar Suedinë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës gjatë rrugëtimit të saj drejt pavarësisë e gjer më sot, diskutuan edhe për çështjen e veriut dhe zhvillimin ekonomik në vend. Ndërkaq, u diskutua edhe për komunitetet pakicë në vend, me ç‘rast u theksua se komunitetet në Kosovë janë të përfaqësuara në të gjitha institucionet e vendit.

Duke folur për dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, delegacioni nga Suedia theksoi se duhet gjetur një zgjidhje politike e cila e sjell Kosovën dhe Serbinë afër BE-së, gjithnjë duke respektuar integritetin territorial të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, u debatua edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, kërkuan mbështetje nga Suedia lidhur me këtë çështje, të cilët u përkrahën nga delegacioni suedez.

"Kjo çështje është brengë e shumë parlamentarëve suedez, megjithatë kjo do të bëhet hap pas hapi, pas plotësimit të disa kushteve teknike", theksuan anëtarët e Grupit për Kosovën të Parlamentit të Suedisë, duke premtuar mbështetje nga Parlamenti i Suedisë.

Komisioni për Integrime Evropiane u takua me një delegacion me anëtarë nga Grupi për Kosovën i Parlamentit të Suedisë