Lajmet e fundit
Komisioni për Bujqësi ...takoi Këshillin për Trashëgiminë Kulturore
, 03.11.2011
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, priti sot në një takim përfaqësuesit e Këshillit për Trashëgimin Kulturore. Me këtë rast u bisedua për dy projektligje: Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Projektligjin për Hoqën e Madhe. Pasi përshëndeti të pranishmit, kryetari i Komisionit Hasani, i njoftoi ata për procedurën e amendamentimi të projektligjeve në Kuvend, ku me theks të veçantë foli për Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Projektligjin për Hoqën e Madhe. Lidhur me këtë, Hasani tha se Komisioni unanimisht ka kundërshtuar miratimin e tyre. Duke folur për shkaqet që kanë quar deri te mosmiratimi i këtyre projektligjeve nga ana e Komisionit, Hasani theksoi dispozitat ligjore të projektligjit të cilat lënë anash trashëgimin ortodokse shqiptare. Po ashtu, Hasani vlerësoi se këto projektligje janë të motivuara politikisht, dhe nuk mbrojnë në mënyrë të paanshme trashëgiminë kulturore e as fetare të etniteteve në Kosovë. Projektligji për Hoqën e Madhe, vijoi Hasani, paraqet presedan në praktikat e deri tashme, sepse shtoi ai:" Kjo do të nxisë edhe fshatrat tjera të kërkojnë ligje të posaçme për interesa të ngushta, në kundërshtim me interesat e qytetarëve", përfundoi kryetari i Komisionit, Hasani. Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, duke shprehur qëndrimet e tyre lidhur me këto projektligje deklaruan se mbështesin qëndrimet e kryetarit të Komisionit, duke shtuar se projektligjet janë në kundërshtim edhe me Pakon e presidentit, Ahtisari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, përfaqësuesit e Këshillit për Trashëgiminë Kulturore, përkatësisht, prof. Zymer Neziri dhe Gjejlane Hoxha, specialiste e fushës së konservimit, po ashtu vlerësuan se këto projektligje janë në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. " Trashëgimia kulturore dhe fetare nuk lejon ndarje etnike", thanë me këtë rast përfaqësuesit e Këshillit për Trashëgiminë Kulturore. Ata, po ashtu njoftuan anëtarët e Komisionit se nuk kanë qenë të ftuar nga grupi punues për amendamentimin e këtyre projektligjeve për të marrë pjesë në hartimin e tyre. Sipas tyre, një ndër shkaqet që projektligjet janë të papranueshme edhe për ta është se, si të tilla nuk e njohin trashëgiminë fetare të shqiptarëve për 12 shekujt e kaluar. Ata në vijim thanë: " Projektligji nuk duhet të përmbajë formulimin: Trashëgimia Ortodokse Serbe", ajo është trashëgimi e të gjithëve, u shprehën ata. Në fund të këtij takimi, përfaqësuesit e Këshillit për Trashëgimin Kulturore u zotuan se për të gjitha pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ana e Komisionit, do të marrin përgjigje profesionale me shkrim.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe fushëveprimtarinë e vetë të përcaktuar sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës.