Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
, 08.11.2011
Sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, mbështetur edhe nga grupet e tjera parlamentare, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme zhvilluan debat parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Këshillit të Evropës (KE) për vitin 2011 që ka të bëj me Kosovën.
Në këtë mbledhje të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi, Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit),
Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, si iniciuese e këtij debati, njoftoi për qëllimin e debatit të sotëm. „Lidhja Demokratike e Kosoves dhe Grupi ynë parlamentar, ka kërkuar këtë seancë te veçantë edhe me përkrahjen e grupeve të tjera parlamentare, me qëllim që qytetarët tanë të njoftohen për atë se çka përmban Raporti i Progresit për Kosovën, i hartuar nga Komisioni Evropian, për periudhën tetor 2010 shtator 2011", tha Beqiri. Tutje shtoi ai, Raportin duhet parë me syrin që na sheh dhe vlerëson bota demokratike, e jo me syrin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas Beqirit, Raporti është shqetësues për LDK-në dhe qytetarët, sepse vlerësimet janë negative në të gjitha fushat. Duke iu referuar të gjeturave nga Raporti, Beqiri tha se ato janë si rrjedhojë e procesit të zgjedhjeve të vitit 2010, duke sjellë një Qeveri harxhuese, që po e dërgon vendin drejtë kolapsit ekonomik dhe financiar, me politika të gabuara buxhetore.
Pas kësaj, fjalën e mori kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili fillimisht falënderoi iniciuesit e këtij debati parlamentar duke shtuar se Qeveria e mirëpret këtë debat. Me këtë rast, kryeministri ua përkujtoi të pranuishmëve se Raporti është për Kosovën, andaj, bëri thirrje që të tejkalohen interesat e ngushta partiake, dhe të kontribuojnë në tejkalimin e sfidave të cilat u përkasin të gjithëve. Në vijim, kryeministri u fokusua në anët pozitive të Raportit, duke vlerësuar se është në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë. Më tej, Thaçi tha:"Vendosja e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në është qëllim i Qeverisë ". Kryeministri po ashtu tha se në fund të vitit, Kosova do ta ketë Udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave, ndërkaq përmbushja e kërkesave të Komisionit Evropian do të jetë prioritet, në mënyrë që qytetarët të mund të lëvizin lirshëm. Në vijim kreu i ekzekutivit foli për përpjekjet e Qeverisë që të përmbushë rekomandimet e dala nga Raporti. Lidhur me këtë, ai foli për reformat e parapara që kanë të bëjnë me gjyqësorin, administratën publike, shëndetësinë dhe arsimin. Ndërkaq, duke aluduar në paraqitjen e kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, kryeministri tha:"Gjithçka që i takon ekzekutivit, e marrim përgjegjësinë e plotë. Ndërsa nga diskutuesi i mëhershëm u harrua gjithçka që diskutohet për legjislativin, dhe gjyqësorin, dhe gjithçka nga këtu u mundua të vihet në barrë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës distancohet nga ky trajtim i njëanshëm dhe pretendues elektoral", tha kryeministri Thaçi. Tutje, duke shfaqur gatishmërinë e Qeverisë për bashkëpunim me të gjithë faktorët relevant për tejkalimin e sfidave dhe përmbushjen e rekomandimeve të dala nga Raporti, kryeministri i vendit tha:" Sfidat që dalin nga Raporti i Progresit janë prioritet i vazhdueshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e reformave, si përgatitje për integrim në strukturat euro-atlantike. Prandaj, çdo mbështetje e juaja është e mirëseardhur, natyrisht është marrje e përgjegjësive tuaja në kuadër të kompetencave të legjislativit, është jashtëzakonisht ndihmuese", tha kryeministri Thaçi në fjalën e tij lidhur me Raportin e Progresit.
Në vijim fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndërkaq, paraqiti opinion krejtësisht tjetër nga ai i përfaqësuesit të LDK-së lidhur me Raportin. Sipas tij, Raporti është dokumenti më i rëndësishëm që ka të bëjë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Duke vlerësuar se Raporti vë në spikamë të arriturat e Kosovës, ai po ashtu tha se me këtë fillon një epokë e re për vendin tonë. Më në fund, vijoi Grabovci, po vjen dita që qytetarët e Kosovës, të trajtohen njëjtë me ata të Evropës, dhe shtoi se kësaj duhet gëzuar përfaqësuesit e opozitës dhe pozitës.
Edhe në fjalën e përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, pati vlerësime negative për Qeverinë. Raporti, tha Ymeri, dëshmon politikat e gabuara në vend. Sipas tij, raporti identifikon ngecje të cilat Lëvizja Vetëvendosje i ka ngritur si shqetësime në paraqitjet e saja. Edhe përfaqësuesi i AAK-së, Ardian Gjini, ngriti kritika në qeverisjen e vendit duke vlerësuar se Raporti negativ gjeneron nga qeverisja e keqe. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Aleancës për Kosovën e Re, Myzejene Selamani, duke u fokusuar në reformat ekonomike, vlerësoi se në kohën kur e tërë Evropa është e përfshirë në krizë të thellë ekonomike, shtetet në tranzicion e kanë edhe më të vështirë të arrijnë reformimin e brendshëm. Për rekomandimet e Raportit, u deklaruan edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar SLS, Petar Miletiq dhe Fikrim Damka nga Grupi Parlamentar 6 +. Sipas tyre, Raporti obligon institucionet për angazhim më të madh në tejkalimin e sfidave dhe në përmbushjen e rekomandimeve, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas këtyre deklarimeve, kryeministri Thaçi, u është drejtuar prapë deputetëve me disa sqarime lidhur me Raportin e Progresit. Me këtë rast, kryeministri vuri në pah faktin se për shkak të krizës politike në vend e cila pat zgjatur më se pesë muaj, Qeveria e Kosovës e ka pasur të vështirë të arrijë në përmbushjen e të gjitha obligimeve qeveritare. Në debatin e sotëm lidhur me Raportin, u angazhuan edhe ministrat e kabinetit qeveritarë si dhe zv. kryeministri, Hajredin Kuçi. Duke vlerësuar angazhimin, për siç tha ai pozitiv të deputetëve , zv.kryeministri u fokusua në anën pozitive dhe sfidat e paraqitura në Raport. Sipas tij, mungesa e konsensusit në mes shteteve të BE-së lidhur me Kosovën, paraqet një ndër sfidat më të mëdha, ndërkaq, vlerësoi pozitivisht faktin që Raporti nuk pengon politikat zhvillimore të vendit sipas planit të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë diskutimeve të mëvonshme nga ana e deputetëve, ndonëse Raporti vlerësohej real, pozita dhe opozita shfaqnin qëndrime të kundërta lidhur me të. Ndërkaq, në përmbyllje të debatit, kreu i Kuvendit, Krasniqi, tha se në mungesë të kuorumit, rekomandimet e propozuara nga Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mund të hidhen në votim, por ato mund të jenë pjesë e Planit të Veprimit, të cilin do ta miratojë Kuvendi në të ardhmen.