Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti Kryesinë e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës
, 10.11.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim Kryesinë e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, të kryesuar nga Kreshnik Cukaj, kryetar.
Kuvendarët e rinj, pasi e falënderuan kryetarin Krasniqi për pritjen dhe përkrahjen e vazhdueshme, e informuan atë për punën dhe veprimtarinë e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës. Duke folur për shtrirjen në territorin e vendit, theksuan se Kuvendi i të Rinjve aktualisht ka 15 degë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Ata e njoftuan kryetarin edhe me vizitën në Shqipëri, takimet dhe përkrahjen që kanë gjetur atje për nënshkrimin e një memorandumi.
Kryetari Krasniqi i përgëzoi përfaqësuesit e të rinjve për punën e tyre dhe njëherësh u ofroi mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit për faktorizimin e mëtejmë të gjeneratave që ata përfaqësojnë.
Në këtë rast, Kryesia e Kuvendit të të Rinjve i dorëzoi kryetarit Krasniqi një mirënjohje, me motivacionin: Për kontributin e veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.