Lajmet e fundit

Rekomandimet për plotësimin e kërkesave nga Raporti i Progresit 2011

, 11.11.2011




REKOMANDIME

PËR PLOTËSIMIN E KËRKESAVE NGA RAPORTI I PROGRESIT 2011

 

 

Duke marrë në konsideratë të gjeturat e paraqitura në raportin e Progresit për Kosovën 2011 të Komisionit Evropian,

 

Duke rikonfirmuar përkushtimin e qytetarëve të Kosovës ndaj procesit të Integrimit Evropian,

 

Duke synuar përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe të standardeve evropiane si kusht kryesor për Integrim Evropian,

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës, 

 

  1. Vlerëson se duhet të intensifikohen reformat në të gjitha fushat e shoqërisë, sidomos:

-         reforma kushtetuese dhe zgjedhore e cila do të mundësojë legjitimitetin e plotë të institucioneve të ardhshme të vendit;

-         të sigurohet sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës në plotësi dhe në tërë territorin e vendit;

-         të zbatohen reformat ekonomike, të cilat do të mundësojnë një zhvillim të diversifikueshëm, punësim dhe qëndrueshmëri buxhetore;

-         të reformohet administrata publike dhe të rritet përgjegjësia dhe efikasiteti i saj.

 

 

 2. Kuvendi i Republikës së Kosovës të angazhohet për përgatitjen dhe aprovimin e ligjeve të domosdoshme për të gjitha reformat politike, ekonomike dhe sociale, për monitorim të vazhdueshëm dhe intensiv të punës dhe veprimeve të Qeverisë.

 

3. Qeveria e Republikës së Kosovës të përgatitë Programin Veprues në bazë të të gjeturave, fakteve dhe analizave nga Raporti i Progresit. Me këtë program, Qeveria duhet të marrë përgjegjësi të afatizuar për të siguruar :

-         sundimin e ligjit,

-         eliminimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar,

-         politika nxitëse për zhvillimin e sektorit privat, për rritje ekonomike dhe punësim,

-         qeverisje të përgjegjshme korporative të kompanive publike, reformim të  prokurimit, kontroll të shpenzimeve publike dhe qëndrueshmëri afatgjate buxhetore, duke respektuar detyrimet ndërkombëtare,

-         Mosndikimin politik në institucionet e pavarura, në media dhe në administratë.

 

4. Të sigurohet një sinergji e Kuvendit dhe komisioneve të tij, Qeverisë dhe ministrive përkatëse, komunave dhe shoqërisë civile për bashkërenditje të veprimeve për plotësimin e të gjitha kritereve dhe kërkesave në fushën politike, ekonomike dhe sociale, të cilat bashkësia ndërkombëtare i shtron para Kosovës për integrimin evropian dhe euroatlantik.

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të trajtojë në çdo tremujor progresin  në plotësimin e kërkesave nga Raporti i Progresit dhe do të adresojë përgjegjësinë  ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.