Lajmet e fundit
Reagim i Grupit të Grave Deputete me rastin e propozimit diskriminues të ambasadorëve
, 11.11.2011
Grupi i Grave Deputete shprehë shqetësimin dhe protestën e vetë për emrat e kandidatëve për ambasadorë që kanë ardhur sot në Komisionin për Politikë të Jashtme. Kjo listë e ambasadorëve të propozuar përfshinë vetëm meshkuj. Madje, për veç faktit që numri i femrave në listën e ambasadorëve të propozuar është zero (0), tani po shkohet me një politikë minus një (-1), ku edhe një ambasadore femër që ka shërbyer deri tani, po zëvendësohet me një mashkull.
Kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 24 (2)) dhe Ligjit për Barazi Gjinore (neni 3). Në veçanti neni 3.4 I Ligjit për Barazi Gjinore parasheh që "Organet kompetente gjatë emërimit të...anëtarëve të organeve përfaqësuese brenda dhe jashtë Kosovës duhet të përfillin përfaqësimin e barabartë të femrave dhe meshkujve në këta këshilla, komisione dhe organe përfaqësuese."
Gjithashtu, është shkelur Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj Gruas, e cila është drejtpërdrejt e zbatueshme në Kosovë sipas nenit 22(6) të Kushtetutës. Për më tepër, kjo krijon një imazh të keq për Kosovën ndërkombëtarishtë dhe paraqet shkelje të të drejtave të mbi 50% të popullatës në Kosovës që janë të gjinisë femërore. Është shqetësues fakti që një ambasadore femër, e cila tani pretendohet të zëvendësohet me një mashkull, në konkurrencë të barabartë me kandidatin që propozohet tani, në konkursin e kaluar pat fituar më shumë poena nga Komisioni intervistues, dhe mbi të gjitha ka qenë kandidatë e zgjedhur edhe në Kuvend, duke e lënë pas kandidatin mashkull që tani po propozohet për ambasadorë. Kosova ka gra të denja dhe të afta që mund të përfaqësojnë interesat e Kosovës denjësisht dhe t'i japin një imazh modern shtetit tonë të ri.
Grupi i grave deputete I bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovë që të ndalojë këtë praktikë diskriminuese, dhe po ashtu kërkon nga Komisioni për Politikë të Jashtme në Kuvend dhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, që mos të miratojnë dhe nënshkruajnë këtë Propozim diskriminues. Grupi i Grave Deputete nuk do të miratojë këtë listë një-gjinore dhe do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore brenda Parlamentit për të ndaluar praktikat diskriminuese që mbi të gjitha nuk marrin parasysh kualitetin.