Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti sot ambasadoren jorezidente të Portugalisë në Kosovë, znj. Vera Maria Fernandes
, 14.11.2011
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi u takua sot me ambasadoren jorezidente të Portugalisë në Kosovë, me seli në Sofje të Bullgarisë, znj. Vera Maria Fernandes.
Kryekuvendari Krasniqi duke i dëshiruar mirëseardhje znj. Fernandes dhe duke i dëshiruar suksese në punën e saj, foli rreth një bashkëpunimi më të ngushtë mes këtyre dy vendeve, si dhe për marrëdhëniet bilaterale mes Parlamentit të Kosovës dhe Parlamentit të Portugalisë.
Gjatë këtij takimi Krasniqi tha se alternativë e vetme e Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndërsa tha se qëllimi primar i institucioneve të vendit është liberalizimi i vizave.
Krasniqi kërkoi mbështetje nga shteti i Portugalisë dhe tha se Portugalia është një shtet mik i vendit, i cili e ka njohur Kosovën si shtet dhe vazhdon ta mbështesë. Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe proceseve në Integrimet Evropiane, Krasniqi tha se kërkojmë që Portugalia të lobojë për njohjen e Kosovës tek shtetet që nuk kanë njohur atë.
Më tej Krasniqi u ndal edhe tek çështja e Veriut, me ç‘rast theksoi se strukturat jolegjitime mbështetën nga shteti i Serbisë, ndërsa shtoi se çështja e veriut është një çështje e mosveprimit të strukturave ndërkombëtare para pavarësisë dhe pas saj.
Ambasadorja jorezidente e Portugalisë në Kosovë, me seli në Sofje të Bullgarisë, znj. Vera Maria Fernandes, duke falënderuar kryekuvendarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë që i rezervoi, tha se Portugalia edhe më tej do ta mbështesë Kosovën.
Gjithashtu ajo e përgëzoi Krasniqin për progresin e dukshëm që ka bërë Kosova që nga pavarësia e këtej.
Ajo tha se do të angazhohet për një bashkëpunim edhe më të madh mes dy vendeve, me theks të veçantë për një bashkëpunim më të mirë mes dy parlamenteve.