Lajmet e fundit
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova
, 15.11.2011
Anëtarë të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës, deputetja Ganimete Musliu, kryetare e grupit, si dhe deputetët e tjerë, Jeton Svirca, Valbona Dibra e Blerta Deliu-Kodra, u takuan me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, z. Mujë Rugova. Ky takim u realizua me qëllim që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj të informohet direkt me problemet dhe sfidat që ka Universiteti i Prishtinës, pasi që nga një takim i mëhershëm i grupit me Parlamentin e Studentëve të UP-së, ishin identifikuar një varg problemesh me të cilat po ballafaqohen studentët në Universitetin publik të Prishtinës.
Takimi filloi me një prezantim të shkurtër të punës dhe funksionimit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, që u bë nga kryetarja Ganimete Musliu. Ajo tha që grupi është grup mbi-politik që për qëllim ka mbrojtjen dhe fuqizimin e rinisë brenda institucionit të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera. Ajo informoi rektorin edhe për fushëveprimtarinë e grupit edhe takimet që ky grup ka realizuar me studentë e të rinj të organizatave të ndryshme. Ajo, gjithashtu, shprehu edhe shqetësimet që Parlamenti i Studentëve kishte adresuar tek ky grup e që kishin të bënin me vërejtje drejtuar profesorëve (ligjëruesve) në UP.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, duke përshëndetur punën e grupit dhe duke i ftuar anëtarët e tij për bashkëpunim të mëtutjeshëm, lidhur me vërejtjet e studentëve u shpreh se është duke zbatuar në përpikëri statutin e UP-së, i cili përcakton mbajtjen e ligjëratave, mënyrën dhe format e notimit të studentëve nga ana e profesorëve. Ai tha se këto rregulla të statutit çdo fakultet i ka te pjesa e shpalljeve. Për Parlamentin e Studentëve, rektori Rugova se do të duhej që çdo vërejtje që kanë ata, ta adresojnë në rektorat, gjë e cila, sipas tij, deri më tani nuk ka ndodhur.
Ai foli, gjithashtu, edhe për hapësirën e UP-së e cila, sipas tij, është e mjaftueshme, mirëpo nuk është duke u shfrytëzuar racionalisht. Për mësimin bashkëkohor Rugova shtoi se ky nivel i mësimit është keqkuptuar nga ana e ligjëruesve, pasi që nuk është mësues i mirë ai i cili në një projektor që përmban tekstin e mësimit, thjeshtë e lexon atë pa shpjeguar arsyen se përse ndodh.
Për kategorinë e studentëve që kanë përfunduar studimet themelore me sistem tre vjeçar, sidomos për ata që tashmë janë baçelorë të drejtësisë, rektori i UP-së tha se këtyre studentëve do t'u mundësohet që të vazhdojnë edhe një vit shkollim vazhdues, në mënyrë që të bëhen jurist të diplomuar.
Ndër të tjera rektori tha se UP-ja ka edhe mungesë të kuadrove në disa lëndë e fakultete. Ai, gjithashtu, pati edhe një kërkesë për deputetët e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, e cila kishte të bënte me botimin e disa librave nga 10 universitetet botërore, libra këta që tashmë janë të përkthyer në gjuhën shqipe nga një projekt në Maqedoni, mirëpo u kërkua nga deputetët që të ndikojnë tek ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që këta libra të botohen edhe në Kosovë dhe t'u vihen në dispozicion studentëve.
Deputetja Valbona Dibra, ndërkaq, shprehu vullnetin për ta përkrahur idenë e bashkëpunimit me Rektoratin e UP-së dhe avancimin e agjendës së përbashkët për zgjidhjen e problemeve që studentët mund të kenë.
Për fund, që të dy palët shprehën vullnetin që takime të ngjashme të ndodhin edhe në të ardhmen, në mënyrë që të koordinohen përpjekjet për fuqizimin dhe zgjidhjen e problemeve të studentëve.