Lajmet e fundit

Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike pritën Grupin Britanik në Unionin Ndër-Parlamentar

, 16.11.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financave dhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kanë pritur sot në një takim të përbashkët Grupin Britanik në Unionin Ndër-Parlamentar, të kryesuar nga Lord Bowness, në përbërje të të cilit ishin edhe Jackie Doyle-Price AP (Partia Konservative), Lord Dykes (Partia Liberal Demokratike), Earl Of Sandëich AP, Angela Smith AP (Partia e Punës), Lord Hylton (i pavarur), dhe Agnieszka Suchenia, asistente e Sekretarisë.

Duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve nga Britania e Madhe, zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, bëri një përshkrim të fushëveprimtarisë dhe punës së të dy komisioneve dhe, në mënyrë të veçantë, potencoi ndihmën britanike për krijimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në vazhdim, ai u ndal në detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, duke identifikuar disa nga sfidat kryesore me të cilët përballet ky komision.

Edhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadriu, i njoftoi ligjvënësit britanikë me punën dhe aktivitetet e komisionit që ai udhëheq, duke u fokusuar në raportet e Zyrës së Auditorit Gjeneral, si fushëveprimtari kryesore e këtij komisioni.

Mysafirët nga Britania e Madhe, pasi shprehën kënaqësinë që gjenden në Kosovë dhe për mundësinë e njohjes nga afër me zhvillimet brenda Kuvendit të Kosovës, shfaqën vullnetin që këto takime të jenë fillimi i një bashkëpunimi edhe më të madh ndërmjet të dy parlamenteve.

Në vazhdim, ata u interesuan për çështje të ndryshme që lidheshin me punën e këtyre dy komisioneve dhe raportet me institucionet e tjera. Një fushë e veçantë e interesimit të tyre ishte ndërtimi i Autostradës Morinë-Merdar, për të cilën, anëtarët e komisioneve dhanë sqarimet e nevojshme. Përkitazi me këtë, zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ramiz Lladrovci dhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Adem Grabovci, theksuan se këtë proces e ka përcjellë transparencë e vazhdueshme, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen nga organizmat ndërkombëtarë.

Në këtë linjë, u fol për rëndësinë e madhe që ka për Kosovën ndërtimi i kësaj autostrade.

Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike pritën Grupin Britanik në Unionin Ndër-Parlamentar