Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
, 16.11.2011
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga Arben Gashi, kryetar i komisionit, u shqyrtua dhe u përkrah në parim Projektligji për marrëdhëniet e detyrimeve. Me këtë rast, anëtarët e komisionit duke e cilësuar këtë projektligj si njërin ndër projektligjet më voluminoze, diskutuan rreth procedurave që parashihet të zhvillohen gjatë amendamentimit të projektligjit.
Anëtarët e komisionit, më tej diskutuan edhe rreth propozimeve për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me theks të veçantë për emërimin e një anëtari nga radhët e komuniteteve. Ata kërkuan nga Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve që të përfundojnë me procedurën e përzgjedhjes së një anëtari.
Më tej, anëtarët e komisionit përkrahën amendamentet e propozuara nga grupi punues për Projektligjin për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës nr. 04/L-70, si dhe raportin me amendamente të komisionit funksional të Projektligjit për Shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore nr. 04/952/L-61. Ndërkaq, përkrahjen e komisionit nuk e mori raporti me amendamentet e komisionit funksional të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës.
Gjatë shqyrtimit të raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për Projektligjin nr. 04/L-17 për ndihmë juridike falas, anëtarët e komisionit duke mos përkrahur atë, u dakorduan që në seancën plenare të paraqiten edhe rekomandimet e Komisionit për Legjislacion.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe kërkesën e organizatës " ÇOHU ", lidhur me mosdeklarimin e pasurisë së zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Me këtë rast organizata "Çohu" ka kërkuar nga komisioni parlamentar sqarime rreth asaj se pse zyrtarët e AKK-së nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre, meqë janë të obliguar me anë të ligjit për agjensinë.
Duke kërkuar nga komisioni që të merret me këtë çështje në mënyrë që pasuria e këtyre zyrtarëve të bëhet publike, anëtarët e komisionit duke u përgjigjur në kërkesën e kësaj organizate, vlerësuan se do të kërkojnë nga AKK-ja që të dorëzojë me shkrim në komisionin parlamentar, formularët e deklarimit të pasurisë së tyre, duke përfshirë edhe periudhat kohore që nga hyrja e ligjit në fuqi. Ndërkaq, ata u dakorduan që të kërkojnë nga AKK-ja edhe raport lidhur me funksionimin dhe aktivitetet e Agjensisë, veçanërisht që nga periudha e përzgjedhjes së drejtorit.
Më tej anëtarët e komision u njoftuan edhe lidhur me aktivitetin e grupit të punës për mbikëqyrjen e Ligjit për Administrimin e pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar, ndërsa krejtësisht në fund shqyrtuan edhe raportin me amendamentet e komisionit funksional të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, me ç‘rast u paraqitën vërejtje në dy amendamente të këtij projektligji.