Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 17.11.2011




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi Xhavit Haliti, filloi me dy pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht: deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare. Në kuader të pyetjeve u përgjigj ministri i Financave, Bedri Hamza.

Në vazhdim deputetëve të Kuvendit iu drejtua me një fjalë kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha:"Në kuadër të këtyre angazhimeve që i kemi, por edhe miratimit të buxhetit për vitin 2012, dua të ndalem edhe në dy çështje që janë të rëndësishme për qytetarët e vendit, për shtetin tonë, për respektimin e Kushtetutës dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Jemi dëshmitarë të përkushtimeve të mëdha të institucioneve të Republikës së Kosovës, në një partneret shumë të ngushtë me të gjitha autoritetet ndërkombëtare, KFOR-in, EULEX-in, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjeve në tërë territorin e Kosovës.

Befasisht, ditëve të fundit kemi deklarime të personaliteteve publike të partive të ndryshme politike, që mënyrën e zgjidhjes së problemit të veriut të Mitrovicës, e shohin si opsion me dhënien e atij territori të Republikës së Kosovës, Serbisë, apo me ndryshimin e kufijve apo këmbimin e territoreve. Shpreh edhe shqetësimin e Qeverisë për këto ide befasuese, që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, dhe gjithashtu prezantoj edhe shqetësimin e miqve ndërkombëtar për këto ide që janë në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe dokumenteve ndërkombëtare për Kosovën", theksoi ai. Në vijim Kryeministri Thaçi tha se Kosova është e njohur nga 86 shtete, me integritetin territorial të respektuar, të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, për të shtruar pyetjen, edhe në emër të Qeverisë së Kosovës se a janë këto qëndrime të partive të caktuara politike, apo vetëm qëndrime individuale. Ai tha se është në favor të mendimit të lirë, në favor të ideve të reja, në favor të opinioneve të lira, por në të njëjtën kohë, shprehu mendimin se këtyre çështjeve të ngritura ditëve të fundit, është mirë t'u jepet përgjigje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të respektojë në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për respektimin e plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, dhe natyrisht asnjë cep i territorit të Republikës së Kosovës të mos i jepet Serbisë. Ndarja e territorit të Kosovës, theksoi ai, është një ide shumë e rrezikshme.

Çështja e dytë është ajo për menaxhimin e integruar të kontrollit të kufijve shtetëror, theksoi kryeministri Thaçi. „Ideja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar dhe kontrollit të kufirit shtetëror, është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës. Dhe, unë kisha dashur vetëm të theksoj, që të mos përzihet menaxhimi i integruar i kufijve me çështjen e kufijve. Menaxhimi i integruar i kufijve është ky. Pra, ky ligj zbatohet pa paragjykim ndaj mandatit të organizatave ndërkombëtare, ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Menaxhimi i integruar i kufirit nënkupton bashkëpunim dhe bashkërendim kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërmjet të gjitha autoriteteve përkatëse, për vendosjen e sistemeve të efektshme të menaxhimit të integruar të kufirit, me qëllim të arritjes së objektivave të kufijve të hapur, por të mirëkontrolluar dhe të sigurt. Bëjeni dallimin edhe me demarkacion, që nënkupton vijën kufitare ndërmjet dy shteteve fqinje", theksoi kryeministri Thaçi.

Përkitazi me këtë fjalë pati reagime nga disa deputetë. Duke replikuar me kryeministrin, deputeti Sabri Hamiti, tha se sot është dita që të diskutohet për buxhetin, e nuk është ditë për slogane politike, duke kërkuar njëherësh që të bisedohet për këtë Projektligj."Neve nuk na e mohon askush që nesër të kthehemi në Kuvend dhe të diskutojmë për këtë çështje, që janë shumë të mëdha dhe ajo që fola unë më parë ishte një thirrje implicite për diskutim, kështu që çështjet shumë të mëdha nuk është mirë të ndryshohen në çështjet tjera shumë të mëdha, që i kemi në rendin e ditës. Po kështu, mund të bisedojmë edhe për dialogun, por të mos e përdorim temën e buxhetit për një reflektim tjetër", theksoi deputeti Hamiti.

Buxhet i bazuar në projeksione realiste të të hyrave dhe shpenzimeve

Deputetët pastaj filluan të shqyrtojnë për herë të parë temën qendrore të kësaj mbledhjeje, përkatësisht i Projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2012.

Për këtë dokument në fillim foli kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se miratimi i buxhetit për vitin 2012, vjen si rezultat i punës dhe përpjekjeve të palodhshme të institucioneve të vendit për të ndërtuar një buxhet që garanton zhvillimin ekonomik të vendit, dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies së qytetarëve tanë.

Ky buxhet është dëshmi e përpjekjeve që përmes zhvillimit ekonomik të punojmë për të çuar përpara përfshirjen sociale dhe për të rritur mirëqenien sociale të qytetarëve tanë.
Kjo ofertë financimi e paraparë për vitin 2012, është dëshmia më e mirë se kjo Qeveri është e përkushtuar që të punojë në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallime etnike, qytetare, regjionale dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, tha kryeministri Thaçi.

Tutje ai shtoi se ky buxhet është i bazuar në projeksione realiste të hyrave dhe shpenzimeve, në këtë kohë kur kriza ka kapluar shumë vende të Evropës, dhe garanton jo vetëm plotësimin nevojave për qytetarët tanë, por njëkohësisht garanton edhe rritje të zhvillimit ekonomik.

"Një veçori tjetër e këtij buxheti është se reflekton plotësisht politikat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra, buxheti është ndërtuar duke u bazuar në politika mirë qeverisëse dhe sidomos në Planin dhe vizionin për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili reflekton më së miri angazhimin tonë për të ecur përpara në sektorët strategjikë, të cilët kanë ndikim drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investimet të huaja direkte.

Ky buxhet reflekton rritjen e financimeve për sektorin e bujqësisë, përqendrohet në financimin e projekteve kapitale, duke përfshirë këtu edhe projektin më madhor rrugën Morinë-Merdar, si dhe investime tjera kapitale në fushën e infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, telekomunikacionit dhe energjetikës.

Buxheti i vitit 2012 është dëshmi e përkushtimit tonë të fuqishëm për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe për të siguruar financim të plotë për të gjitha shërbimet publike të cilat janë në dobi të qytetarëve tanë, në këtë periudhë të vështirë ekonomike në të cilën po kalon jo vetëm Kosova dhe vendet e rajonit, por edhe vende tjera të zhvilluara të Evropës.

Mund të themi me krenari, se përderisa shumë vende të Evropës janë ballafaquar me stagnim në zhvillimin e tyre, Kosova jo vetëm që nuk ka përjetuar ngecje e regres, por në vazhdimësi ka arritur të ruajë rritjen ekonomike stabile, e cila do të jetë e pranishme edhe në viteve në vijim.

"Për këtë vit, rritja ekonomike do të jetë pesë për qind. Kjo është dëshmi e politikave tona të matura dhe realiste, por është edhe refleksion i vitalitetit dhe aftësive të pamohueshme të qytetarëve tanë, për t'u përballur me vështirësi, duke pasur gjithmonë vizion për të ardhmen. Ky buxhet është ndërtuar në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtar, po ashtu është harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që është një dëshmi e fuqishme e partneritetit tonë me këtë organizatë financiare ndërkombëtare, por edhe dëshmi se Kosova është në gjendje të jetë anëtare e barabartë dhe e përgjegjshme e institucioneve ndërkombëtare" ,theksoi kryeministri Thaçi

Performancë shumë e mirë e të hyrave

Prezantimin e këtij Projektligji para deputetëve e bëri ministri i Financave, Bedri Hamza. Duke prezantuar disa nga parametrat kryesorë të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm ministri Hamza tha se rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 5,3 për qind, që është më e lata në Rajon. Kjo rritje është konfirmuar edhe nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në vijim z. Hamza i bëri një vështrim performancës shumë të mirë, si e quajti ai, të të hyrave gjatë këtij viti në Kosovë. Sivjet, tha ai, të hyrat do të realizohen, madje do të kenë një tejkalim prej 18 për qind, krahasuar me një vit më parë. Duke vazhduar të rendisë parametrat për vitin e ardhshëm, z. Hamza tha se të hyrat do të jenë 1,361 miliard euro, nga të cilat 860 do të sigurohen nga doganat kurse 285 nga tatimet. Nga buxheti i vitit të ardhshëm planifikohet që 40 për qind e mjeteve të orientohen për investime kapitale. Ajo që po e karakterizon buxhetin e Kosovës është fakti se ka stabilitet makrofiskal.

Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa para foli Hasime Krasniqi, e cila u shpreh se ky Komision me shumicë votash e ka mbështetur në parim këtë Projektligj, në të cilin janë përfshirë treguesit makroekonomik. Ai është material i detajizuar, shoqëruar edhe me analiza, në harmoni me dispozitat përkatëse ligjore. Projektligji është në pajtim me prioritetet e Qeverisë së Kosovës për ruajtjen e qëndrueshmërisë makro, ndërsa ngërthen në vete edhe shpërndarje të mirë të fondeve ne dobi të qytetarëve, ndërkaq të hyrat në masën më të madhe nga doganat dhe tatimet.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së diskutoi Adem Grabovci, i cili në fillim tha se ky dokument është në përputhje me mundësitë e Kosovës. Ndërkaq, një parametër shumë trimërues në rritjen ekonomike të Kosovës dhe të stabilitetit të saj financiar e prosperues e tregon fakti se investimet kapitale në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm do të jenë 15 për qind më të larta se në vitin 2011. Pasi foli edhe për parametrat tjerë financiar në këtë projektbuxhet, ai tha se për projektbuxhetin e Kosovës vijnë fjalë trimëruese edhe nga FMN-ja.

Buxhetin e Kosovës, theksoi ai, e karakterizon pos tjerash edhe sistemi i qëndrueshëm bankar, si dhe fakti që janë bërë hapa vendimtarë drejt qëndrueshmërisë fiskale që mundëson edhe donacione nga bota.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Naser Osmani tha se Projekt-buxheti nuk merr parasysh vërejtjet e shumë institucioneve ndërkombëtare dhe nuk tregon se si do të përmirësohet pozita financiare dhe ekonomike e Kosovës. Raporti i progresit, Raporti i OKB-së dhe raporte të tjera japin indikacione të qarta për keqmenaxhim ekonomik dhe fiskal në Kosovë. Ky buxhet, tha ai, është peng i politikave dhe premtimeve të gabuara elektorale, e jo buxhet i zhvillimit ekonomik. Korniza afatmesme e shpenzimeve 2012-2014 mbetet dokument i pavlerë, për arsye se asgjë nga ky dokument nuk reflektohet në buxhet. Në vijim ai tha se deficiti buxhetor prej 3, 5 për qind të GDP-së është mbi nivelin e lejuar me kriteret e BE-së. Buxheti për mallra dhe shpenzime nuk është në linjë me investimet kapitale. Investimet në shkolla,objekte shëndetësore,rrugë etj., nuk përcillen me personel, pajisje, materiale të nevojshme dhe mirëmbajte. Përkitazi me investimet kapitale ai u shpreh se shifra prej 616 milionë euro nuk pritet të ketë efekte multiimplikuese. Autostrada gëlltit gjysmën e investimeve kapitalë, që tregon se kilometri i saj gjepave të varfër të qytetarëve po u kushton 9 milionë euro. Ai në vijim paraqiti aleternativat LDK-së për buxhetin e vitit 2012.

Në diskutimin e tij , në emër të Grupit Parlamentar Lëvizja vetëvendosje!,Visar Ymeri tha se zhvillimi ekonomik është çështje serioze dhe për të arritur një shkallë të duhur të qëndrueshmërisë ekonomike, duhet strategji afatgjate, e cila duhet zbatohet. Pa të humbet rruga me t'u nisur. Si është e mundur që në prill të thuhet se do të ketë rritje ekonomike prej 7 deri në 8 % e në nëntor të supozohet rritje prej vetëm 5%. Si mund të gabohet kaq shumë në projektime? Projektimet e buxhetit janë edhe në kundërshtim me kornizën afatmesme të shpenzimeve, e cila u miratua në këtë Kuvend para jo më shumë se 5 muajve. Ky buxhet është i planifikuar keq dhe tejet dëmtues për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarit, buxhet që nuk paraqet kurrfarë koncepti zhvillimor, theksoi Ymeri.

Ardian Gjini, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se ky buxhet është në rrjedhën e buxheteve të katër vjetëve të fundit, i cili ka sjell vetëvarfërim, e ka futur vendin në borxhe dhe sjell jetë të pasigurt te qytetarët. Nga parametrat që paraqiten në emër të Qeverisë së Kosovës del se gjendja ekonomike në Kosovë është e atillë sa Kosova të mbajë ligjërata për zhvillim ekonomik. Sipas këtyre parametrave del se Qeveria ka hequr dorë nga lufta kundër korrupsionit dhe nga tërheqja dhe ulja e papunësisë, se ajo është pajtuar me situatën aktuale dhe se nuk mund të dalë nga ajo.

Myzejene Selmani, në emër të Grupit Parlamentar të AKR-së tha se kur shikohen parametrat e këtij projekti shihet se janë në vazhdimësi të projekteve të mëhershme të vendit. Ajo drejtoi kërkesa drejt Qeverisë që të bëjë menaxhim më të mirë të parasë publike, transparencë me rastin e privatizimit të PTK-së, si dhe për subvencionet që ndan Qeveria.

Në emër të Grupit Parlamentar të SLS-së Sasha Milosavleviq bëri disa vërejtje sa i përket parashikimit të investimeve në mjediset ku jeton komuniteti serb. Në këtë vështrim ai u shpreh se nuk ka shtim të mjeteve për kthim të serbëve në Kosovë. Po kështu, ai tha se nuk janë paraparë mjete për ndërtimin e spitaleve në mjediset serbe, ndërsa në asnjë mjedis ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb nuk është paraparë të ndërtohet ndonjë objekt sportiv. Vështruar në këtë aspekt, ai vlerësoi se buxheti nuk është i drejtpeshuar.

Duda Bale në emër të Grupit Parlamentar 6+ shprehu përkrahjen e Projektligjit, duke e vlerësuar atë si dokument të perspektivës dhe në favor të përmirësimit të gjendjes së gjithmbarshme shoqërore ekonomike në vend.

Angazhime për shpërndarje më të mirë të mjeteve buxhetore sipas komunave


Pas fjalëve të sponzoruesit dhe shefave të grupeve parlamentare, nga ana e deputetëve u zhvillua debat i gjerë. Në kuadër të diskutimeve bëheshin vërejte e sugjerime të ndryshme, që synonin begatimin e precizimin e dispozitave të këtij Projektligji. Një pjesë e madhe e deputetëve përqendroheshin në ndryshimin e disa pozicioneve në strukturën e Projektligjit, që do të shkonin në favor të ndërtimit të shkollave,institucioneve shëndetësore, të kulturës,në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen e ambientit etj. Vëmendjen e deputetëve, sidomos nga opozita, e tërhiqnin edhe çështja e privatizimit të PTK-së, si dhe çështja e autostradës, që shoqëroheshin edhe me propozime. Nga opozita kërkohej edhe një shpërndarje më e mirë e mjeteve buxhetore sipas komunave dhe sektorëve, duke konsideruar se sipas Projektligjit, por edhe më parë, shpërndarja e mjeteve sipas komunave ishte jo e drejtë dhe e varur nga përkatësia partiake e udhëheqjeve të komunave . U tha se në krahasim me vitin paraprak, në buxhetin e planifikuar për në mot nuk vërehet ndonjë lëvizje e madhe e të hyrave, ndërsa kërkohej edhe një analizë më e mirë e infalacionit, si dhe zvogëlim i shkallës tatimore në pronë.

Përkitazi me disa tone të diskutimeve ku paraqiteshin kundërshtime e dilema, u tha se ky Projektbuxhet nuk mund të kontestohet. Deficiti prej 3.2 për qind që parashihet me këtë dokument mund të jetë edhe më i vogël, por z. Bedri Hamza e shihte si të pakuptueshëm faktin që ndonjë diskutues, derisa kërkonte zvogëlim të deficitit, në të njëjtën kohe kërkonte të ndahen më shumë mjete në pozicione të caktuara të projektbuxhetit. Ai tha se nuk është e vërtetë se shpërndarja e mjeteve është bërë në baza politike.

Pas debatit shumë të gjerë Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2012.

Në vijim deputetët përkrahën kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për afat shtesë për ta shqyrtuar Projektligjin për mbeturinat, si dhe propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit