Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

, 18.11.2011




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me ministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, dhe me ministrin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), Dardan Gashi, shqyrtuan buxhetin e propozuar nga Qeveria për këto ministri. Kryetari i Komisonit Nait Hasani, vlerësoi se buxheti i paraparë për këto ministri është i pamjaftueshëm për implementimin e projekteve të parapara, dhe kërkoi që të analizohen mundësit e shtimit të tij gjatë fazës së amendamentimit. Duke folur për buxhetin e paraparë për MAPH-in, ministri Gashi vuri në pah se për realizimin e disa projekteve kapitale të parapara nga ministria, është i nevojshëm shtimi i buxhetit. Ndër projektet e rëndësisë së veçantë, të cilat kërkojnë mjete shtesë për realizimin e tyre, ministri përmendi projektin e aerofotografimit, investimet në Departamentin e Mjedisit dhe në Departamentin Hapësinor. Shuma e mjeteve shtesë për realizimin e këtyre projekteve të cilave iu referua ministri, kalon shumën e një milion e dyqindëmijë euro. Ndaj me këtë rast ai kërkoi nga Komisioni përkrahje në realizimin e saj. Ministri Gashi në vijim sqaroi se nga shuma e buxhetit të paraparë për këtë ministri, e që arrin në shumën e 64.80 milon euro, 56 milion euro janë të dedikuara për shpronësimin e projekteve nacionale.

Edhe ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, nga ana e tij vlerësoi se buxheti i paraparë për ministrinë që ai udhëheq ndonëse ka shënuar rritje, nuk është i mjaftueshëm. Ministria, vijoi Stavileci, bazuar në të hyrat e premtuara nga donatorët, grandet dhe subvencionet nga Banka Botërore, KE-ja dhe DANID-o, (organizatë buxhetore daneze), pretendon që shuma e buxhetit të arrijë në 31 milion euro. Duke pasur parasysh nevojën e madhe për subvencionimin e fermerëve, blegtorëve, si dhe subvencionimin për sipërfaqe të mbjella me grurë, as ky buxhet nuk do të ishte i mjaftueshëm, tha ministri Stavileci. Tutje shtoi ai, Ministria dhe Komisioni duhet të përpiqen për shtimin e buxhetit në harmoni me potencialet menaxhuese të Ministrisë.

Në fund të këtij takimi, pjesëmarrësit u dakorduan që për nevojat e këtyre ministrive, të shikohet mundësia e rishikimit të buxhetit të vitit të ardhshëm.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...