Lajmet e fundit
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga
, 22.11.2011
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj, u takua sot me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga , për të diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen me Presidencën e Kosovës.
Fillimisht, kryetarja e këtij grupi, deputetja Ganimete Musliu, falënderoi Presidenten e Kosovës, për pritjen që u bëri atyre , si dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me deputetët e rinj. Duke folur për qëllimin e kësaj vizite në Presidencë, deputetja Musliu tregoi në pika të shkurtra edhe për aktivitetet që kanë realizuar deri më tani.
Me këtë rast presidentja Jahjaga falënderoi Grupin Parlamentar të Deputetëve të Rinj për iniciativën e këtij takimi duke i kushtuar rëndësi të veçantë formalizimit të këtij grupi, si dhe të Grupit të Grave Deputete, meqë siç u tha gjatë këtij takimi kjo është praktikë edhe e shteteve tjera.
"Fakti që parlamenti jonë ka deputetë të rinj tregon se është një investim i mirë se kemi besim tek të rinjtë, duke i votuar ata që të bëhen përfaqësues të qytetarëve", theksoi presidentja Jahjaga. Ajo gjithashtu garantoi deputetet se do ta kenë përkrahjen e saj në të gjitha fushat.
Gjatë këtij takimi kryetarja e Grupi Parlamentar të Deputetëve të Rinj, deputetja Musliu foli për rëndësinë e amendamentimit të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, kërkesë kjo e shprehur edhe nga disa grupe të interesit nga takimet që ka pasur deri më tani Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj.
U tha po ashtu se dyert do të jenë të hapura për bashkëpunim të mëtejmë mes Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj dhe Presidencës së Kosovës, me dëshirën dhe përpjekjen e zbatimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Ky takim ishte në vazhdën e takimeve që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj është duke realizuar në institucionet e vendit që ndërlidhen me fushëveprimtarinë e këtij grupi.