Lajmet e fundit

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj vizitoi Qendrën Studentore të UP-së

, 22.11.2011




Një delegacion nga Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetarja Ganimete Musliu, ka vizituar Qendrën Studentore dhe është pritur nga drejtori i saj, Fatmir Sfishta. Meqë, nga takimet e mëhershme me studentë, si kërkesë e tyre kishte dalë edhe nevoja e aktivizimit të një mense tjetër, pasi që numri i studentëve është i madh, kjo dhe disa kërkesa të tjera iu adresuan drejtorit të kësaj qendre nga Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj.

Nga ana tjetër drejtori i kësaj qendre Sfishta, i njoftoi deputetët për kapacitetet që kjo qendër posedon aktualisht, përshirë 6 konviktet dhe strehimin për 3.200 studentë. Sipas tij, në kompleksin e konvikteve është në funksion salla e internetit, biblioteka e studentëve konviktorë si dhe mundësia e larjes së rrobave personale të studentëve, ndërsa pastrimi i ndërresave nga dhomat e studentëve bëhet rregullisht nga shërbimi i posaçëm në lavandarinë kryesore të kësaj qendre. "Qendra është e pajisur me stabilimente për sigurimin e ujit të ngrohtë me rreze solare të cilat funksionojnë rregullisht dhe pa ndërprerje. Në kuadër të kësaj qendre funksionon edhe mensa e studentëve e cila shërben ekskluzivisht për ushqimin e studentëve dhe punonjësve të qendrës", theksoi ai, duke shtuar se përveç studentëve konviktorë, në këtë mensë ushqehen edhe studentët të cilët banojnë në banesa private e të cilët e kanë statusin e studentëve të rregullt. Aktivitetet kulturore dhe sportive te studentëve, sipas drejtorit Sfishta, zhvillohen në Palestrën e Sporteve, e cila është pjesë përbërëse e qendrës.

"Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës si institucion publik jofitimprurës financohet nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Menaxhimin e buxhetit e bënë në koordinim dhe bashkëpunim me këtë ministri të cilës edhe i përgjigjet. Duke u mbështetur në nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit sa më të mirë të kushteve, QS është duke u përpjekur që në kuadër të projekteve të saja zhvillimore, studentëve t'u ofrojë shërbime sa më cilësore dhe të njëjta me ato që kanë studentët e shteteve të universiteteve perëndimore", theksoi Fatmir Sfishta.

Në pyetjen e deputetit Armend Zemaj se cila është përkrahja buxhetore për këtë qendër nga ministria dhe se sa është e kushtueshme mensa, Sfishta tha se përkrahja është e mirë meqë nuk ka pasur shkurtim buxhetor, përkundrazi, ka pasur një rritje buxhetore prej 20 000 eurosh. Ai tregoi edhe për kategoritë e studentëve të liruar nga pagesa siç janë: fëmijët e dëshmorëve, hendikepët, fëmijët e të pagjeturve, etj.

Deputetët me nostalgji kujtuan edhe ditët e tyre si studentë konvikti, duke u munduar kështu që të jenë sa më afër studentëve për t'i kuptuar më shumë problemet e tyre, e në kuadër të kësaj duke i parë nga afër se si jetojnë dhe si ushqehen, duke shijuar gjithashtu një drekë bashkë me ta në mensën e tyre.

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj vizitoi Qendrën Studentore të UP-së