Lajmet e fundit
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj vizitoi Mitrovicën
, 22.11.2011
Anëtarë të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, për të qenë sa më afër problemeve me të cilat ballafaqohen të rinjtë sot, vizituan komunën e Mitrovicës, me ç'rast u takuan me përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë për rini të kësaj komune. Në këto takime të udhëhequra nga kryetarja e grupit, deputetja Ganimete Musliu, u prezantuan nevojat, problemet dhe çështjet tjera me të cilat është e preokupuar rinia mitrovicase.
Ndër të tjera, u diskutua edhe për amendamentimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë dhe u ftuan të rinjtë që t'i dërgojnë tek ky grup rekomandimet e tyre në fushat në të cilat mendojnë se ky ligj ka nevojë të ndryshohet.
Deputetet Musliu e Dibra zhvilluan një takim edhe me kryetarin e Komunës, Avni Kastrati, i cili shoqërohej nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani si dhe zyrtari për rini, Lavdim Musa. U bisedua për pozitën e të rinjve në këtë komunë si dhe përkrahjen që ofron komuna për ta.
Kryetari Kastrati tha se në Mitrovicë, përkundër sfidave të mëdha për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, komuna është duke ju krijuar hapësirë të nevojshme për aktivitetet e tyre. Ai gjithashtu tha se bashkëpunimi me organizatat rinore është në nivel të kënaqshëm, që është duke ndikuar edhe përmirësimin e pozitës së tyre.