Lajmet e fundit
Nga mbledhja solemne e Parlamentit të Republikës së Kosovës, me rastin e vizitës së kryeparlamentarit kroat, Bebiq
, 23.11.2011
Me rastin e vizitës së kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kroacisë në Kosovë, Luka Bebiq, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje solemne.
Duke i uruar mirëseradhje homologut të tij kroat, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shprehu Kroacisë mike dhe popullit të saj mirënjohjen e thellë për solidaritetin dhe mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Kosovës dhe popullit të saj. Kreu i Kuvendit theksoi se dy vendet tona kanë marrëdhënie miqësie dhe bashkëpunimi në politikë, ekonomi dhe në fusha të tjera, si partnerë strategjikë. Komunitetet tona pakicë në të dyja vendet, sipas Krasniqit, përbëjnë faktor nxitës bashkëpunimi dhe përafrimi.
Në fjalën e tij, duke u ndalur edhe në zhvillimet e fundit në vend, kryetari Krasniqi theksoi se Kosova pret të vazhdojë ndihma diplomatike e Kroacisë për njohjen e gjerë ndërkombëtare të saj, për aderimin e saj në organizatat ndërkombëtarë dhe në bashkëpunimin rajonal e integrimet euroatlantike.
Në paraqitjen e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit të të Republikës së Kroacisë, Luka Bebiq, shprehu kënaqësinë që gjendet në Kosovë dhe për dinamikën e zhvillimeve të marrëdhënieve Kroaci - Kosovë. Duke folur për procesin e integrimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, Bebiq tha se Kroacinë e ndajnë vetëm dy javë nga nënshkrimi i kontratës me BE-së.
Hyrja e Republikës së Kroacisë në Unionin Evropian, sipas tij, është çështje e madhe, jo vetëm për popullin kroat por edhe për tërë regjionin e Evropës Juglindore. "Suksesi ynë është dëshmi për të gjithë ata që seriozisht i zbatojnë reformat në oborrin e tyre, se do të pasojë shpërblimi në fund të rrugëtimit. Në atë rrugëtim, Kuvendi i Kroacisë e dha kontributin e vet madhor, i cili para se gjithash kishte të bënte me harmonizimin e legjislacionit kroat me të arriturat juridike të BE-së", theksoi Bebiq.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryeparlamentari kroat theksoi se Kroacia e mbështet fuqishëm integritetin dhe mos ndarjen e territorit të Kosovës. "Kroacia dëshiron që me Kosovën të zhvillojë edhe me tej marrëdhënie përmbajtjesore dhe do të jetë aktive në përkrahje të Kosovës në lëmenj të ndryshëm", e shpreh ndër të tjera z. Bebiq.
Ai shtoi se që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë shumë, por para saj është ende rrugë e gjatë. Ajo mund të llogarisë në ndihmën e plotë nga Kroacia.