Lajmet e fundit
Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Luka Bebiq, para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës
, 23.11.2011
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Të dashur miq,
Dua që të shpreh kënaqësinë time të veçantë që kam rastin të flas para Kuvendit të Kosovës së pavarur. Mu në fund të mandatit të këtij legjislacioni të Kuvendit të Kroacisë, jam në krye të këtij delegacioni në Kosovën mike, që erdhi për t'iu dhënë përkrahjen dhe për ta shprehur kënaqësinë për dinamikën e zhvillimeve të marrëdhënieve Kroaci - Kosovë.
Kuvendi i Kroacisë e përfundoi legjislaturën e gjashtë dhe para nesh janë zgjedhjet parlamentare. Në legjislaturën e kaluar kemi bërë shumë punë, veçanërisht përgatitjet për e hyrjen e Kroacisë në Unionin Evropian. Siç e dini, Kroacinë e ndajnë vetëm dy javë nga nënshkrimi i kontratës me Bashkimin Evropian.
Hyrja e Republikës së Kroacisë në Unionin Evropian është çështje e madhe, jo vetëm për ne por edhe për tërë regjionin e Evropës Juglindore. Suksesi ynë është dëshmi për të gjithë ata që seriozisht i zbatojnë reformat në oborrin e tyre, se do të pasojë shpërblimi në fund të rrugëtimit
Anëtarësimi në Unionin Evropian, me siguri është qëllim për të cilin vlente mundimi dhe angazhimi ynë në dhjetë vitet e fundit.
Ky rrugëtim në asnjë moment nuk ishte i lehtë dhe pa pengesa, por megjithatë, ne arritëm që t'i kalojmë të gjitha dhe sot jemi një hap larg nënshkrimit të Kontratës, e cila do të na mundësojë anëtarësinë në asociacionin më prestigjioz të botës në vitin 2013.
Në atë rrugëtim, Kuvendi i Kroacisë e dha kontributin e vetë madhor, i cili para se gjithash kishte të bënte me harmonizimin e legjislacionit kroat me të arriturat juridike të BE-së. Në atë proces, në tri legjislatura të Kuvendit të Kroacisë janë harmonizuar gjithsej 512 ligje, nga të cilat vetëm në legjislaturën e fundit të Kuvendit janë harmonizuar gjithsej 287 ligje.
Dëshira e jonë e sinqertë është që edhe vendet e tjera të regjionit të nisen në të njëjtën rrugë, normalisht, sipas zgjidhjes së tyre. Unioni Evropian dhe procesi i integrimeve i lidhur me të, me siguri është faktori më i mirë i stabilizimit në këto hapësira. Këtë gjë dua t'ua sugjeroj këtu.
Gjithashtu, dëshiroj ta theksoj qartas se Kroacia e mbështet fuqishëm integritetin dhe mos ndarjen e territorit të Kosovës. Kroacia dëshiron që edhe me tej me Kosovën të zhvillojë marrëdhënie përmbajtjesore dhe që do të jetë aktive në përkrahje Kosovës në lëmi të ndryshme.
Stabiliteti është ajo që u intereson të gjitha vendeve të Evropës Juglindore, sepse është garanci e zhvillimit në paqe dhe e prosperitetit. Për këtë shkak veçanërisht e vlerësoj rolin e organizatave ndërkombëtare, veçanërisht rolin e Unionit Evropian dhe NATO-s, të cilët në dy dekadat e fundit e japin kontributin e vetë për stabilizimin e kësaj pjese të botës.
Kroacia edhe vetë ka qenë viktimë e agresionit brutal. Megjithatë, nuk dëshirojmë që të jetojmë në atë histori por duam të ecim përpara dhe ta ndërtojmë ardhmërinë ndryshe. Por, viktimat dhe luftën për pavarësi nuk do t'i harrojmë. Javën e kaluar ne e shënuam 20 vjetorin e rënies së Vukovarit, simbolit të vuajtjes por edhe të mbrojtjes sonë.
Viktimat tona na obligojnë që të ndërtojmë ardhmëri tjetër, ardhmëri në të cilën, të them ashtu, duhet të ndërtojmë fortesë të pathyeshme ndaj çdo mundësie të luftërave të reja. Integrimet evropiane dhe euroatlantike janë mënyrë e shkëlqyer mu e kësaj. Detyra parësore e secilit vend është që para se gjithash, qytetarëve të vetë, tu sigurojë jetë të sigurt dhe të qetë.
Edhe pse në regjion është arritur shkallë e rëndësishme e stabilitetit, ngjarjet e paradokohshme në Kosovë dhe në disa vende të regjionit, na tregojnë se ka shumë punë për tu bërë që të qetësohen situatat e krizës dhe për forcimin e mëtejmë të dialogut dhe bashkëpunimit në këto hapësira.
Nevoja për angazhimin ndërkombëtar në Kosovë ende ka rëndësi të veçantë për stabilitetin e regjionit, gjë që shihet nga ngjarjet e fundit dhe aksionet e vendosura të KFOR-it për pengimin e eskalimit të konfliktit.
Më tepër bashkëpunim, dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Gjithsesi ka nevojë për zgjidhje të bisedimeve të ndërprera në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zgjidhja e çështjeve të cilat e ngarkojnë jetën e përditshme të qytetarëve në të dy anët, iu hap rrugën stabilitetit dhe përparimit të mëtejmë drejtë integrimeve evropiane. Kroacia do të vazhdojë ta mbështes këtë rrugëtim.
Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë shumë. Para jush është ende rrugë e gjatë dhe mund të llogaritni në ndihmën e plotë nga Kroacia. Na vjen mirë që dëshironi ta ndërtoni shtetin në të cilin të gjithë popujt do t'i kenë të garantuara të gjitha të drejtat e mundshme. Kjo ka të bëjë edhe me bashkësinë kroate e cila me shekuj jeton në Kosovë.
Do ta theksoj si shembull të mirë të bashkëpunimit regjional në kontekstin e NATO-s dhe në formatin e Kartës Adriatiko - Amerikane prej nga ka dalë iniciativa për dërgimin e ekipeve të përbashkëta të mentorëve në Afganistan.
Në të ardhmen, Kroacia është e gatshme që me përvojat dhe njohurit e veta të arritura në procesin e bisedimeve me UE-në, të bëhet mbështetëse për vendet e regjionit në rrugëtimin e tyre në UE. Të gjitha aktivitetet tona regjionale ashtu edhe ne marrëdhëniet bilaterale, si dhe përmes rolit aktiv në projektet shumëpalëshe regjionale, siç është CEFTA, procesi i bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe Këshilli për bashkëpunim regjional, janë pjesë e rëndësishme e mozaikut të politikës së jashtme kroate.
Në thellimin e bashkëpunimit regjional, juglindja e Evropës edhe vetë fillon të jetojë në ato vlera në të cilat bazohet UE. Ai bashkëpunim vërtetë është gjithëpërfshirës dhe shtrihet në lëmin e drejtësisë, policisë, mbrojtjes, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj.
Perspektivat ekonomike të vendeve të Evropës Juglindore dallojnë mjaft nga perspektivat e para dhjetë viteve. Kemi të bëjmë me tregun prej 20 milionë konsumatorësh ku bashkëpunimi në atë treg është vendosur në baza të mira në kuadër të CEFTA-s.
Të gjitha vendet e regjionit janë vende ne tranzicion me GDP relativisht të ulët, por me potencial të madh të rritjes ekonomike. Ekonomitë e regjionit janë në rritje, janë edhe më dinamiket në Evropë dhe paraqesin njërin nga caqet kryesore të eksportit nga vendet e UE-së.
Në atë kontekst dëshiroj ta theksoj nevojën që edhe Kroacia e Kosova ta rrisin këmbimin e ndërsjellë ekonomik. Me atë bashkëpunim ekonomik do t'i ndërtojmë urat më të mira që janë të nevojshme për përforcimin e bashkëpunimit në regjion.
Të njëjtën rëndësi e ka edhe infrastruktura rrugore dhe zhvillimi i saj. Vështirë se mund të paramendohet ekonomia efikase pa rrugë dhe hekurudha moderne.
Të përfundoj, bashkëpunimi në të gjitha fushat jetësore në mes të vendeve të regjionit është e vetmja ardhmëri e mundshme. Gjithashtu, edhe bashkëpunimi në mes të Kroacisë dhe Kosovës. Ne jemi të gatshëm që Kosovës t'i ofrojmë ndihmë çfarë ajo e dëshiron.
Në përafrimin me integrimet evropiane, Kroacia është e gatshme që fqinjëve të vetë t'ua ofrojë tërë ndihmën e nevojshme, gj që konkretisht me veprimet tona e kemi dëshmuar.
Me këtë rast dëshiroj që posaçërisht ta theksoj nevojën e rritjes së bashkëpunimit parlamentar. Bashkëpunimi parlamentar në Evropë dhe botë çdo ditë e më tepër po e rrit rëndësinë. Këtë rëndësi e kanë njohur edhe organizatat ndërkombëtare.
Dhe më në fund, më lejoni që Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj tu dëshiroj fat. Ua dëshiroj ardhmërinë çfarë e dëshironi për vetveten, në paqe, me prosperitet dhe në Evropën Juglindore stabile.