Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 25.11.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për të huajt, me rekomandime të komisionit funksional.

Në vazhdim, komisioni shqyrtoi Projektligjin për azilin, me raportin me amendamente të komisionit funksional, për të cilën pikë ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pas sqarimeve të ofruara dhe duke vlerësuar rëndësinë e miratimit të projektligjit, që është njëri ndër parakushtet për liberalizim të vizave, komisioni rekomandoi se projektligji dhe amendamentet e propozuara nuk përmban implikime buxhetore shtesë dhe qeveria duhet të parashikojë mjete sipas procedurës së rregullt buxhetore për zbatimin e këtij ligji.

Komisioni shqyrtoi Propozim-Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, përkatësisht detyrat e komisionit që dalin nga ky plan dhe me disa plotësime miratoi atë.

Shqyrtimin e kërkesës për transferin e mjeteve buxhetore nga Ministria e Punëve të Jashtme në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, e shtyu për një mbledhje tjetër.

Komisioni miratoi njëzëri Rregulloren e Punës së Komisionit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa