Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama
, 28.11.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të kryesuar nga kryetari i saj, Edi Rama.
Kryetari Krasniqi dhe kryesocialisti Rama, pasi këmbyen urimet me rastin e festave të Nëntorit, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Kryetari i Kuvendit e njoftoi z. Rama me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe me zhvillimet e tjera në vend. Krasniqi u ndal edhe në çështjen e liberalizimit të vizave dhe pengesat që Kosova po has në rrugën e saj të përfaqësimit ndërkombëtar e të integrimit, si pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.
Sa i përket bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kreu i legjislativit vuri në pah nevojën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet dy vendeve.
Në këtë frymë bashkëpunimi, kryetari i PS-së, Edi Rama, potencoi arsyeshmërinë dhe domosdoshmërinë e unifikimit të arsimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe bëri të ditur se për ta shtyrë përpara këtë proces, Partia Socialiste e Shqipërisë është duke hartuar një platformë.
Unifikimin e gjuhës shqipe, z. Rama e konsideroi të arritur të madhe kombëtare e historike dhe që si të tillë, sipas tij, duhet ruajtur e pasuruar.