Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, z.Ernst Reichel
, 28.11.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, z.Ernst Reichel. Me këtë rast, bashkëbiseduesit i bënë një vështrim bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë bashkëpunimit ndërparlamentar. Pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, kryekuvendari Krasniqi shprehu mirënjohje për përkrahjen e popullit dhe shtetit gjerman, që kanë dhënë e po japin në proceset e gjithmbarshme në Kosovë.
Duke folur rreth gjendjes së sigurisë në veri të vendit,kreu i legjislativit, z. Krasniqi, dënoi aktin e fundit kundër forcave paqeruajtëse të KFOR-it, si pasojë e të cilit u plagosën dy ushtarë gjermanë. Këtë akt kryekuvendari Krasniqi e quajti veprim të rëndë e të dënueshëm, i cili dëshmon për praninë aktive të bandave kriminale atje dhe për rrezikun që ato paraqesin. Në këtë vështrim ai theksoi se deklaratat e pamatura të politikanëve serbë, nëpërmjet të cilave bëhet thirrje për luftëra , nuk i kontribuojnë stabilitetit në Kosovë, Rajon, por edhe më gjerë. Duke u ndërlidhur me këtë çështje, ambasadori gjerman, z.Ernst Reichel, deklaratat e tilla luftënxitëse i quajti të papranueshme. Ai tha se pajtimi i Serbisë dhe Kosovës do të ishte një bazë e mirë për shtrirjen e BE-së edhe në këtë Rajon.
Në takim u fol edhe për vizitën e delegacionit parlamentar të Kuvendit të Kosovës që do të nisë nesër në Gjermani.