Lajmet e fundit
U mbajt ceremonia e publikimit të tre doracakëve për komisionet parlamentare
, 01.12.2011
Sot, në ndërtesën e Kuvendit u mbajt ceremonia e përurimit të tre doracakëve të komisioneve parlamentare, publikimi i të cilëve është mundësuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).
Organizimi dhe funksionimi i komisioneve parlamentare, Ekspertiza e jashtme në komisionet parlamentare dhe Organizimi i dëgjimeve në komisionet parlamentare, janë tre doracakët e publikuar, ne ceremoninë e së cilës mbajti një fjalë rasti Sekretari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi. Duke falënderuar NDI-në, Krasniqi theksoi se lansimi i këtyre publikimeve është kurorëzim i punës dhe bashkëpunimit të zyrtarëve ligjor në mbështetje të zyrtarëve të NDI-së, të cilët siç tha ai kanë arritur që të krijojnë një arkiv për punën e deputetëve në komisionet parlamentare.
Me këtë rast sekretari i Kuvendit duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj zyrtarëve ligjor të Kuvendit të Kosovës, si dhe të zyrtarëve të NDI-së, tha se shpreson që aktivitetet dhe mbështetja administratës së Kuvendit nga NDI-ja do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Ndërsa, drejtori i Departamentit për mbështetje ligjore, Daut Beqiri, tha se doracakët në fjalë janë produkt i bashkëpunimit të zyrtarëve të departamentit ligjor dhe zyrtarëve të NDI-së.
Ai tha se tre doracakët janë një mundësi e mirë që zyrtarët e administratës, përkatësisht të departamentit ligjor, të kenë një formë të standardizuar, të unifikuar të praktikave më të mira nga vendet e rajonit dhe SHBA-të, për punën e organeve të Kuvendit.
Me këtë rast drejtori i programit legjislativ të NDI-së, Alexander Chavarria, tha se tre doracakët e komisioneve parlamentare do të forcojnë efikasitetin e punës së Kuvendit, me theks të veçantë të komisioneve parlamentare.
Në vijim Chavarria para të pranishmëve prezantoi doracakët dhe theksoi se kjo do të ketë një ndikim pozitiv në punën e Kuvendit të Kosovës, meqë janë hartuar si një mjet i përditshëm i punës së komisioneve dhe kjo do të rrisë cilësinë dhe kualitetin e punës së komisioneve.
Po ashtu, Chavarria tha se doracakët janë të dobishëm jo vetëm për stafin e Kuvendit, por edhe për deputetët e posazgjedhur.
Gjatë kësaj ceremonie u theksua se NDI-ja së bashku me departamentin ligjor të Kuvendit është në proces të finalizimit të një manuali për draftim ligjor, ndërsa u tha se NDI-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më tej me departamentin ligjor dhe atë të administratës së Kuvendit të Kosovës.