Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadoren e Estonisë për Kosovën, me seli në Vjenë, znj.Eve-Külli Kala
, 06.12.2011
Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Estonisë, posaçërisht ndërmjet dy parlamenteve përkatëse, ishte temë thelbësore e takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me ambasadoren e Estonisë për Kosovën, me seli në Vjenë, znj.Eve-Külli Kala. Duke i uruar mirëseardhje ambasadores estoneze, kryekuvendari Krasniqi e njoftoi atë për punën që po bën Kuvendi i Kosovës në fushën e legjislacionit, ndërkaq një vështrim të gjerë i bëri edhe përbërjes së Kuvendit, në të cilin janë të përfshirë edhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë. Në takim u fol edhe për çështjen e sigurisë në Kosovë, si dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, kryekuvendari Krasniqi shprehu mirënjohje për përkrahjen që Estonia i ka dhënë e po i jep Kosovës.
Ambasadorja,Eve-Külli Kala, pasi vlerësoi punën e frytshme të Kuvendit të Kosovës, u ndal edhe në çështjen e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit, duke theksuar se Estonia shpreh gatishmëri për të ndihmuar Kosovën, sidomos në fushën e teknologjisë informative.