Lajmet e fundit
Kuvendi i Republikës së Kosovës nesër shënon 10-vjetorin e punës
, 09.12.2011
Kuvendi i Republikës së Kosovës nesër, më 10.12.2001, shënon 10-vjetorin e punës. Për këtë përvjetor të rëndësishëm të legjislativit të vendit janë paraparë aktivitete të shumta.
Në orën 11:00 fillon seanca solemne për shënimin e 10-vjetorit të punës së Kuvendit të Kosovës. Deputetëve me një fjalë rasti do tu drejtohet kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi. Pas seancës organizohet pritje për deputetët e të gjitha legjislaturave, për korin diplomatik në Prishtinë dhe të ftuar të tjerë.
RTK-ja ka paralajmëruar program televiziv, të xhiruar dhe të drejtpërdrejtë, për këtë ditë të shënuar, i cili parashihet të zgjasë nga ora 9:00-16:00. Në këtë kuadër do të realizohet intervistë gjysmëorëshe me kryeparlamentarin Krasniqi, pastaj me shefin e OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Werner Almhofer. Do të ketë debat me përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe me kryetarët e grupeve parlamentare.
Në orën 10:00, ndërkaq, shpallen fituesit e konkursit për esenë më të mirë në temën " Kuvendi i Kosovës si simbol i demokracisë", i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.