Lajmet e fundit

Intervista e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), me rastin e 10-vjetorit të Kuvendit

, 10.12.2011




RTK: Ju keni qenë pjesëtarë i legjislacionit të parë të Kuvendit qysh në vitin 2001, çfarë është ndjesia nëse krahasojmë atë kohë me sot? A është përmbushur misioni?

Krasniqi: Për t'u përmbushur misioni duhet një kohë, por kur kthehemi pas dhe e shikojmë kohën kur e kemi filluar, para 10 vjetësh, konsiderojmë se kemi filluar nga e para, pa ndonjë përvojë të trashëguar demokratike. Dhe, gjatë këtyre 10 viteve kemi arritur ta ndërtojmë një traditë të funksionimit demokratik të institucionit të Kosovës, kemi arritur që ta formësojmë një administratë profesionale, kemi arritur të krijojmë një infrastrukturë ligjore për funksionimin e institucioneve demokratike të shtetit, kemi arritur që të zgjedhim të gjitha institucionet e pavarura të cilat janë në shërbim dhe në mbikëqyrje të institucioneve ekzekutive të Kosovës dhe kemi arritur të miratojmë diku 425 ligje. Në dy legjislaturat e para punët kanë ecur nga përvoja e re e punës. Në legjislacionin e parë janë miratuar 84 ligje, në legjislacionin e dytë janë miratuar 79 ligje, në legjislaturën e tretë e që është edhe legjislatura e pavarësisë së Kosovës, brenda më pak se tri viteve, janë miratuar 205 ligje. Ndërsa, në legjislaturën e katërt në të cilën jemi tani dhe e cila nuk ka mbushur akoma një vjet, kemi miratuar 56 ligje dhe 36 ligje janë në procedurën e miratimit.
Kështu, ne po shkojmë drejt konsolidimit dhe formësimit të një sistemi të legjislaturës demokratike dhe natyrisht nga viti në vit, ka pasur ngritje cilësore dhe në këtë rrafsh kemi përmbushur një pjesë të punëve dhe të hyrave të cilat kanë qenë më të obligueshme . Gjithashtu, ky sukses të cilin e kemi arritur gjatë këtyre viteve duhet t'u dedikohet edhe institucioneve ndërkombëtare, të cilët na kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve, siç janë: USAID-i, SHBA-të , OSBE-ja, KE-ja , UNDP-ja.
Kuvendi ka vendosur marrëdhënie shumë të mira me shumë vende të parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të Turqisë , të Kanadasë, të Kuvajtit që janë jashtë hapësirës së Bashkimit Evropian.
Parlamenti i Kosovës bashkëpunim shumë të mirë ka pasur me Parlamentin e Bashkimit Evropian, i cili është i vetmi institucion i BE-së, që e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kur t'i shikojmë të gjitha këto, konsiderojmë se gjatë këtyre viteve Parlamenti i Kosovës, si institucion përfaqësues i Kosovës, Parlamenti i Kosovës si institucion ligjvënës i Kosovës dhe si institucion mbikëqyrës i ekzekutivit dhe trupave tjerë që i zgjedh, në një masë të madhe ka përmbushur obligimet dhe detyrat që i ka pasur. Vlen të theksohet se Kuvendi i Kosovës ka shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ka nxjerrë të gjitha simbolet e shtetit dhe ka konsoliduar të gjitha institucionet e shtetit. Të gjitha këto konsideroj se janë të arritura të mëdha për të gjithë qytetarët e Kosovës, janë të arritura të mëdha për institucionin përfaqësues dhe natyrisht tashmë kemi arritur edhe demokracinë si proces. Demokracia është një proces e cila zhvillohet për ditë dhe në këtë rrafsh konsiderojmë se për këto dhjetë vjet Kuvendin e Kosovës e kanë përcjellë me sukses dhe ka të arritura në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, gjatë këtyre viteve Kuvendi i Kosovës ka pasur javët e tij nëpër komuna, me ç‘rast ka prezantuar punën e vet para opinionit dhe para qytetarëve, po ashtu është java dhe koha kur Kuvendi hapet për qytetarët dhe bashkëpunimi që e ka me shoqërinë civile dhe transparenca që bëhet përmes televizionit. Të gjitha këto e bëjnë Parlamentin e Kosovës një institucion të hapur, një institucion transparent dhe një institucion me perspektivë për t'i përmbushur detyrat e veta në sferën e përmbylljes të krijimit të një legjislacioni sa më të mirë dhe sa më demokratik.

RTK: Ju përmendet se janë miratuar me qindra ligje të cilat qëllim të vetëm kanë demokratizimin e shoqërisë dhe vënien e sundimit të ligjit në këtë vend. A mendoni shoqëria kosovare është demokratizuar falë edhe punës së Kuvendit të Kosovës?

Krasniqi: Mund të themi se roli i Kuvendit në demokratizimin e shoqërisë kosovare ka qenë i madh gjatë këtyre dhjetë viteve. Konsideroj se ky rol i Kuvendit për demokratizimin e shoqërisë kosovare për ta bërë atë sa më transparente dhe sa më të përgjegjshme do të rritet nga dita në ditë dhe në këtë rrafsh kur kemi parasysh se ka vetëm dhjetë vjet, mendoj se duhet të jemi krenar për këto që kemi arritur.

RTK: Cila është sfida aktuale me të cilën përballet organi të cilin ju e drejtoni?

Kransiqi: Sfida vazhdon të jetë miratimi i sa më shumë ligjeve , ndoshta ndonjëherë edhe ka mundësi që të krijohen ligje edhe më të mira, ndoshta ka mundësi të bëhen edhe më shumë ligje, por është Buxheti i Kosovës ai që në një mënyrë ose tjetër e orienton dhe e përcakton mundësinë e këtij institucioni për bërjen e ligjeve. Do të dëshironim që të bënim ligje sa më të mira për të gjitha kategoritë që kanë nevojë, për një kualitet më të mirë të jetës, por tani për tani shumëçka është e kufizuar nga madhësia ose fuqia financuese e buxhetit të Kosovës. Sa më shumë që ngritet ky buxhet, mundësitë Kuvendit dhe të institucioneve tjera për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve të Kosovës do të jetë më e madhe dhe do të jetë në rritje.

RTK: Nëse flasim për pavarësinë e Kuvendit të Kosovës, a mund të na thoni që nga fillimi i vitit 2001 e gjer më sot, si ka evoluar një proces i tillë apo gjithnjë e keni pasur në gjë të tillë?!

Krasniqi: Kur e përmenda se roli kryesor i Kuvendit si institucion është miratimi i ligjit dhe miratimi i akteve, rezolutave dhe vendimeve tjera, dhe nëse kemi parasysh këtë në legjislaturën e parë që ka zgjatur tri vjet janë miratuar 84 ligje, në legjislaturën e dytë janë miratuar 79 ligje, kurse në të tretën janë miratuar 205 ligje. Janë miratuar 14 rezoluta dhe po aq vendime, si dhe janë ratifikuar 13 marrëveshje ndërkombëtare. Duke u arritur përvoja e Administratës së Kuvendit dhe duke u arritur ekspertiza e njerëzve që kanë punuar në Kuvend gjatë këtyre viteve, natyrisht se është ngritë dhe miratimi i ligjeve, si dhe është ngritë profesionalizmi i administratës dhe stafit politik. Është shtuar mbajtja e seancave parlamentare dhe të gjitha këto kanë mundësuar një ngritje të vazhdueshme të parlamentit si institucion përfaqësues ligjvënës dhe mbikëqyrës.

RTK: Me çfarë aktivitetesh do ta shënoni këtë ditë?

Krasniqi: Aktivitetet fillojnë në mëngjes. Kemi një shpërblim për fituesit e konkursit për esenë më të mirë në temën " Kuvendi i Kosovës si simbol i demokracisë", që është dhënë nga mbikëqyrësit e Kuvendit. Kemi seancën solemne me rastin e 10 - vjetorit, kemi koktej për deputetët e të gjitha legjislaturave dhe pastaj vazhdohet me aktivitete tjera. Ndërsa, përfaqësuesit e grupeve parlamentare do të prezantojnë punën e tyre dhe angazhimin e tyre para qytetarëve përmes televizionit publik, i cili edhe ashtu ka ndihmuar shumë që të ngritet transparenca e legjislativit ose e institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës

 

Intervista e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), me rastin e 10-vjetorit të Kuvendit