Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në konferencën “Kuota gjinore-përfaqësimi i barabartë për gratë në Kosovë”

, 12.12.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë në konferencën "Kuota gjinore-përfaqësimi i barabartë për gratë në Kosovë", e cila u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, kryekuvendari Krasniqi , në fillim tha:"Kam nderin të përshëndes pjesëmarrësit e kësaj Konference, në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim dhe të falënderoj Qendrën Kosovare për Studime Gjinore dhe Kvinna till Kvinna për organizimin e mirë që bënë dhe për ftesën që të jemi sot këtu bashkë për të shqyrtuar tema interesante, të rëndësishme dhe aktuale".

Në vijim ai tha se trajtimi i çështjeve të barazisë gjinore në Kosovën e aktualitetit historik, nuk ka të bëjë thjeshtë vetëm me të drejtat e gruas, por me interesin e gjithë shoqërisë dhe vendit, me shfrytëzimin e gjithë potencialit intelektual e profesional në funksion të zhvillimit e përparimit të gjithmbarshëm. Femrat në shoqëri përbëjnë, jo vetëm gjysmën e popullsisë, por edhe gjysmën e potencialit zhvillimor.

Në të kaluarën jo shumë të largët, gratë në Kosovë përjetonin peshën e dyfishtë të robërisë. Në Kosovën e lirë dhe demokratike filloi një proces i gjithanshëm dhe i pakthyeshëm reformash shoqërore, politike dhe ekonomike. Në këtë kuadër, Kuvendi i Kosovës, për të përmirësuar barazinë gjinore dhe përfaqësimin e grave në organin më të lartë legjislativ e përfaqësues, si veprim afirmativ, caktoi një kuotë prej 30 për qind, të pjesëmarrjes së femrave në Kuvend", theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Në vijim ai theksoi se qëllimi i kësaj Konference është të debatojë përmirësimin dhe avancimin e sistemit zgjedhor në Kosovë. Është i drejtë dhe i qëlluar debati, sepse sistemi zgjedhor nuk mund të jetë çështje e vetëm subjekteve politike, por edhe e shoqërisë civile dhe e publikut. Në këtë frymë ai shprehu inkurajimin e shoqërisë civile për të vazhduar kontributin në çështjet gjinore, sepse roli i saj në këtë fushë është i pazëvendësueshëm.

Kosova tashmë, përveç instrumenteve ndërkombëtare për barazinë gjinore, ka edhe legjislacionin e vet dhe programe përkatëse për të eliminuar çfarëdo forme të diskriminimit të gruas dhe barazimin e saj me burrin në të gjitha fushat e jetës. Statusi i gruas në jetën shoqërore, ekonomike e politike të një vendi, si dhe kujdesi për nënën, janë tregues të qartë të emancipimit të vetë shoqërisë dhe të përparimit të vendit. Nuk mund të flitet për kurrfarë procesi të demokratizimit të Kosovës dhe të institucioneve të saj, pa pasur parasysh kriteret e barazisë së gruas me burrin në shoqëri, duke përfshirë këtu edhe barazinë ekonomike, që përbën kushtin sine qua non për emancipimin e gruas.

Barazia gjinore nuk është një dhuratë që u jepet grave nga burrat apo institucionet, ajo përbën të drejtën e ligjshme dhe natyrore të tyre. Gruaja në Kosovë i ka kontribuuar emancipimit, përparimit, zhvillimit dhe lirisë së shoqërisë sonë, prandaj i ka siguruar vetës statusin e të barabartit në të. Çështjet gjinore në Kosovë janë institucionalizuar në nivel qendror dhe lokal. Gruaja kosovare është pjesëmarrëse dhe e përfaqësuar në Kuvend, në Qeveri, në pushtetin lokal, në FSK, SHPK, shërbim civil dhe në jetën arsimore, kulturore e shkencore. Megjithatë, roli i gruas në vendimmarrje duhet rritur. Nuk mund të quhet e emancipuar një shoqëri, në qoftë se nuk është e emancipuar gjysma e saj, gjinia femërore.

Gratë e Kosovës e kanë detyrë angazhimin për të drejtat e tyre, por edhe burrat duhet të punojnë për integrimin e balancimit gjinor në çdo fushë të jetës, për respektin reciprok dhe mundësitë e barabarta për të dyja gjinitë, sepse ky është kusht për një shoqëri demokratike dhe të zhvilluar. Çështjet gjinore janë dhe duhet të jenë, jo vetëm për gratë, por edhe për burrat. Në vazhdim kreu i legjislativit të vendit theksoi:"Korniza jonë ligjore, në bazën e së cilës është Ligji për barazinë gjinore, duhet zbatuar dhe avancuar nëpërmjet të një bashkëpunimi të ngushtë midis Kuvendit, Qeverisë dhe Shoqërisë Civile. Përparimi i barazisë gjinore është një proces global. Dhënia e çmimit Nobel për paqe për këtë vit, pikërisht tri aktivisteve dhe luftëtareve të barazisë gjinore, është një ngjarje e rëndësishme, domethënëse dhe motivuese. Në përfundim, Konferencës i uroj punë të suksesshme dhe rekomandime të qarta për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi. Besoj që Konferenca do t'u kontribuojë politikave të vendit tonë për përmirësimin e barazisë gjinore dhe të sistemit zgjedhor. Unë dëshiroj të shpreh këtu vullnetin tim për të qenë në mbështetje të barazisë gjinore dhe të ruajtjes e avancimit të përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës", u shpreh
kryekuvendari Krasniqi.

 

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në konferencën “Kuota gjinore-përfaqësimi i barabartë për gratë në Kosovë”