Lajmet e fundit
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me një delegacion të KFOR-it suedez
, 13.12.2011
Anëtarë të Bordit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, kryetare e grupit, Burim Ramadani e Rita Hajzeraj, u takuan me një delegacion të KFOR-it suedez, në përbërje: Kristoffer Nordh dhe Besarta Dauti.
Ky takim u realizua me qëllim që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj të informohet me sektorët dhe projektet që ka KFOR-i suedez për të rinjtë e vendit tonë si dhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.
Takimi filloi me një prezantim të shkurtër të punës dhe funksionimit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj që u bë nga kryetarja Ganimete Musliu. Ajo tha që grupi është mbi partiak, që për qëllim ka mbrojtjen dhe fuqizimin e rinisë brenda institucionit të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera. Gjithashtu ajo i njoftoi të pranishmit për natyrën e grupit.
Ndërsa anëtari tjetër i bordit Burim Ramadani u shpreh se të gjithë deputetët e këtij grupi si qëllim të përbashkët e kanë fuqizimin e të rinjve, zgjidhjen e problemeve të tyre, përfaqësimin e tyre sa më të mirë në kuvend. Ai gjithashtu pyeti përfaqësuesit e delegacionit të KFOR-it nëse kanë ndonjë projekt që merret me të rinjtë dhe kjo do të mund të ishte edhe fusha e bashkëpunimit me ta, duke realizuar një projekt në ndihme të të rinjve të shkollave të mesme duke qene se situatat aty shpeshherë kalojnë me dhunë dhe përdorim të mjeteve narkotike.
Përfaqësuesi i KFOR-it suedez, Kristoffer Nordh, tha se ai punon me ekipin për ndërlidhje dhe monitorim të KFOR-it suedez, ekip ky i cili më herët ka pasur mundësi që të bëjë edhe projekte humanitare, ndërsa tani janë vetëm për ndërlidhje dhe monitorim. Ky ekip përbëhet nga 11 anëtarë të cilët pastaj janë të ndarë në 4 sektorë, varësisht prej fushave të cilat i mbulojnë.
Lidhur me projektin e përbashkët të përmendur nga deputeti Ramadani, përfaqësuesja e KFOR-it suedez, Besarta Dauti tha se kjo gjë do të ishte e mundur mirëpo për këtë duhet përcaktuar se a do të bëhet kampanjë nëpërmjet ndonjë reviste që do të mund t'iu shpërndahej nxënësve apo me anë të takimeve të deputetëve të rinj me këta nxënës. Për këtë u vendos që të mbahet edhe një takim tjetër i përbashkët, në fillim të vitit të ardhshëm në mënyrë që të përcaktohen për mënyrat e realizimit të këtij projekti.
Në anën tjetër deputetja Rita Hajzeraj tha se edhe pse secili prej anëtarëve të grupit mban njëkohësisht edhe funksione të rëndësishme në partitë përkatëse, kjo nuk i pengon këta që të jenë aktiv edhe në këtë grup i cili është joformal, duke zhvilluar aktivitete vullnetare. "Qëllimi i grupit është që të përfaqësojmë një grupmoshë e që në këtë rast janë të rinjtë. Prandaj, do të ishte e mirëseardhur çdo ndihmë për hapat e mëtutjeshëm", tha Hajzeraj. Ajo gjithashtu tha se rreth projektit të përbashkët me KFOR-in suedez do të ishte mirë që kampanja vetëdijësuese të bëhet nëpërmjet vizitave pikërisht tek ato shkolla ku ka më shume probleme të tilla, duke qenë njëkohësisht sa më afër tyre, për t'i këshilluar.
Burim Ramadani gjithashtu shtoi se meqë ky projekt akoma është në fazën ideore, në vazhdimësi duhet bashkëpunuar me të rinjtë nga të gjitha komunat.
Kryetarja e grupit Ganimete Musliu u shpreh se grupi ka në plan që në vitin e ardhshëm të realizojë një vizitë edhe në Suedi në mënyrë që të marrë përvojën nga praktikat më të mira atje.
Për fund, që të dy palët shprehën vullnetin që takime të ngjashme të ndodhin edhe në të ardhmen në mënyrë që të koordinohen përpjekjet për fuqizimin dhe zgjedhjen e problemeve rinore në çdo fushë.