Lajmet e fundit
U mbajt një tryezë e Grupit të Grave Deputete
, 15.12.2011
Grupi i Grave Deputete-GGD, i përkrahur nga NDI-ja, mbajti sot një tryezë për gratë në biznes me temën : "Pse Grat kanë nevojë për Gratë", të cilën e kryesoi, anëtarja e Bordit të GGD-së, deputetja Donika Kada Bujupi, e cila foli për gjendjen e rëndë ekonomike,nivelin lartë të papunësisë, të varfërisë, si dhe mundësive tepër të kufizuara për të filluar dhe zhvilluar veprimtari ekonomike. Ajo tha se edhe pse në Kosovë janë të regjistruara rreth njëqind mijë biznese vetëm gjysma e tyre janë funksionale, ndërsa gratë përbëjnë më pak se 6% të bizneseve të regjistruara.
Kryetarja e GGD-së znj Teuta Sahatqija, duke folur për përkushtimin e GGD-së në favor të politikave që nxisin zhvillimit ekonomik të vendit, theksoi vullnetin e madh që kanë gratë për të qenë kontribuuese të buxhetit familjar dhe shtetëror e jo të jenë vetëm shpenzuese, por siç tha ajo, për të arritur këtë duhen politika adekuate.
Në vazhdim të tryezës ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, foli për rëndësinë e inkurajimit të grave që të merren, jo vetëm me biznese të vogla manifakturave, por edhe me biznese shumë më të fuqishme, përkatësisht me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat po udhëhiqen nga gratë dhe janë në përgjithësi më me prosperitet. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Zenun Pajaziti tha se përkrahja e gruas në veprimtarinë afariste është edhe objektiv i Mijëvjeçarit (OZHM), ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës,Safet Gërxhaliu, theksoi nevojën për partneritet publiko-privat dhe subvencionim të afarizmit të grave .Tryezës i kontribuuan me kumtesat e tyre edhe Cathy Allen, këshilltare Ndërkombëtare e NDI-së, shkëlqesia e saj Sarmite Bulte, anëtare e Këshillit Mbretëror të Kanadasë, Joceline Talbot, këshilltare e Lartë për Çështje Gjinore- UNDP Kosovë, Mirlinda Kusari, drejtore e shoqatës She-Ra dhe Linda Shala, pronare e Data Projekt Elektronik