Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
, 15.12.2011
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga Arben Gashi, kryetar i komisionit, u shqyrtua dhe u përkrah në parim Projekt-Rregullorja e Kuvendit, e cila u tha se mund të procedohet më tej.
Gjatë këtij takimi me rastin e miratimit të Rregullores së re të punës së Kuvendit, nga ana e Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, foli kryetari i këtij nënkomisioni dhe anëtari i Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj, i cili paraqiti disa pika të kësaj draft rregulloreje.
Me këtë rast ai tha se nënkomisioni e ka përfunduar draftimin e Rregullores së re të punës së Kuvendit dhe është votuar në mënyrë unanime nga anëtarët e nënkomisionit.
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion paraqitën disa vërejtje për Rregulloren e re të punës së Kuvendit, ndërkaq theksuan se kjo rregullore është e strukturuar mirë, si në aspektin teknik, po ashtu edhe në atë logjik.
Anëtarët e Komisionit, po ashtu përkrahën edhe Projektligjin nr. 04/L-76 për Policinë, ndërkaq shqyrtimi i Projektligjit për Transmetimin Publik në Kosovë mbeti të diskutohet në mbledhjen tjetër të radhës, për shkak të dilemave që u shtruan pikërisht për nenin 6 të këtij projektligji, që ka të bëjë me pasurinë e transmetuesit publik.