Lajmet e fundit
Ligjëratë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajtur në Akademinë Diplomatike të Vjenës
, 15.12.2011
Kryetari i Kuvendit të Kosovës. dr. Jakup Krasniqi, i cili në krye të një delegacioni parlamentare po qëndron në vizitë zyrtare në Austri, mbajti sonte një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës, në temën pavarësia e Kosovës dhe zhvillimet aktuale të saj.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishëmve kryekuvendari Krasniqi theksoi :"Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë, si shtet sovran dhe demokratik, duke mbyllur kështu kapitullin tragjik të robërisë e të gjenocidit, të terrorit e shfarosjes sistematike të popullsisë, të shfrytëzimit kolonial dhe të shtypjes së lëvizjeve të pareshtura çlirimtare. Po bëhen katër vjet që vendi im nga një vatër potenciale e krizave të rrezikshme, u kthye në një faktor paqeje e stabiliteti rajonal.
Çështja e Kosovës lindi nga padrejtësia historike e vitit 1913, kur gjysma e kombit shqiptar dhe e territorit të tij, me dhunë iu aneksua Serbisë e më vonë Jugosllavisë, me të cilat nuk e lidhte asgjë përveç zinxhirëve të robërisë.
Bota humane dhe demokratike nuk mund të shikonte anash tmerrin që po ndodhte në Kosovë
Gjatë dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar, lëvizjes së rezistencës paqësore të popullit të Kosovës dhe kërkesave të tij legjitime, regjimi i Milosheviqit iu përgjigj me dhunë dhe reprezalie, me ndjekje dhe dëbim masiv, duke imponuar luftën e armatosur, me të cilën synonte të përjetësonte sundimin e Kosovës.
Lufta e përgjakshme çlirimtare e viteve 1998-99, popullit të Kosovës i kushtoi mbi 15.000 jetë njerëzish, duke përfshirë civilë, fëmijë, pleq dhe gra, rreth 120.000 shtëpi të djegura, deportim të më shumë se gjysmës së popullsisë dhe dëme të pallogaritshme ekonomike e materiale. Forcat e rregullta ushtarake e policore serbe si dhe ato paramilitare, dhunuan dhjetëra mijë gra e vajza shqiptare. Kosova, dymbëdhjetë vjet pas mbarimit të Luftës, kërkon mbi 1800 persona të kidnapuar dhe zhdukur nga forcat serbe.
Bota humane dhe demokratike nuk mund të shikonte anash tmerrin që po ndodhte në Kosovë, prandaj ndërhyri me forcën e NATO-s dhe vendosi paqen, duke instaluar një protektorat nëntëvjeçar, nëpërmjet të administratës së OKB, të quajtur UNMIK.
Bisedimet dyvjeçare midis Kosovës dhe Serbisë, rezultuan me Propozimin Gjithëpërfshirës për statusin e Pavarësisë së Mbikëqyrur të Kosovës të emisarit ndërmjetës të OKB, zotit Marti Ahtisaari. Ky dokument parashihte të drejta të standardeve të larta për serbët dhe për komunitetet tjera pakicë në Kosovë, që përbëjnë rreth dhjetë për qind të popullsisë. Propozimin e Presidentit Ahtisaari pala kosovare e ka pranuar me dhembjen e kompromisit historik. Atë e ka mirëpritur gjerësisht bashkësia ndërkombëtare dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, por jo edhe Serbia, e cila e mbështetur me veton ruse arriti ta bllokojë aprovimin e Rezolutës së re për Kosovën në KS të OKB.
Në këtë gjendje, përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara e me të drejtën ndërkombëtare dhe në harmoni me Propozimin e zotit Ahtisaari, shpallën Pavarësinë e Kosovës, e cila u njoh deri tani ndërkombëtarisht nga 85 vende, anëtare të OKB-sw , duke përfshirë 22 vende të Bashkimit Evropian.
Zgjidhja e çështjes së Kosovës përbën sui generis ndërkombëtar, për shkak të historisë së saj, për subjektivitetin shtetëror tradicional të Kosovës, për shkak të shpërbërjes së Federatës jugosllave, ku bënte pjesë dhe për shkak të gjenocidit që ka ushtruar regjimi i Milosheviqit në këtë hapësirë.
Kosova ka popullsinë, territorin e kufijtë ndërkombëtarë dhe institucionet shtetërore të zgjedhura, si dhe mjetet demokratike për të mbajtur rendin.
Vendosja e rendit kushtetues - një nga të arriturat më domethënëse
Një nga të arriturat më domethënëse politike pas pavarësisë që na bën të krenohemi, padyshim është vendosja e një rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Legjitimiteti i pushtetit në Kosovë bazohet në Kushtetutë, ligje dhe në vullnetin e qytetarëve. Kosova, me kushtetutë i ka sanksionuar sistemin politik demokratik, sovranitetin e popullit, pluralizmin politik dhe ekonomik, zgjedhjet e lira dhe të drejta, qeverisjen e shtetit të së drejtës, ndarjen dhe kufizimin e pushteteve, sigurimin dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe procedurat demokratike.
Kosova e dalë nga një sundim i egër dhe i gjatë shtypës e pushtues, i është bashkuar sot familjes së madhe të demokracive të botës. Demokracia në Kosovë nuk është më vetëm një aspiratë, por edhe realitet i ri që po e ndërtojmë çdo ditë, duke e transformuar jetën politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore e artistike.
Një tregues i zhvillimit demokratik të Kosovës, kanë qenë zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, të cilat me gjithë parregullsitë që u evidentuan, kaluan në një atmosferë qetësie, kurse institucionet e pavarura i korrektuan me kohë parregullsitë dhe rezultatet e certifikuara u pranuan nga të gjitha subjektet politike. Në frymën e dialogut politik dhe marrëveshjes, u tejkalua shpejt edhe kriza e ashtuquajtur presidenciale, duke stabilizuar dhe funksionalizuar kështu të gjitha institucionet demokratike në Kosovë. Zgjedhjet e përgjithshme u organizuan për herë të parë nga institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës, prandaj përbënin një sfidë më vete të demokracisë sonë të re.
Duke vlerësuar që shumica e defekteve të këtyre zgjedhjeve, kanë rezultuar nga legjislacioni ynë i mangët zgjedhor, fill pas tyre ne kemi filluar procesin e reformimit të tij. Për këtë qëllim Kuvendi ynë ka formuar dy komisione përkatëse parlamentare, ad hok, të cilat janë duke punuar në drejtim të ndryshimit të sistemit zgjedhor, por edhe të Kushtetutës, sidomos në dispozitat që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit. Për të qenë figurë sa më unifikuese e përfaqësuese dhe për t'i shmangur kalkulimet politike të koalicioneve, presidenti i Kosovës, në të ardhmen do të zgjidhet drejtpërdrejt nga elektorati qytetar.
Kuvendi ka arritur me sukses të promovojë demokracinë e kulturën parlamentare dhe të sigurojë përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë. Demokracinë e kemi kuptuar si realizim të lirisë për të gjithë, duke pranuar diversitetin në shoqëri dhe duke respektuar vlerat e interesat e grupeve të ndryshme brenda saj.
Një pako e tërë ligjesh janë miratuar vitin e kaluar, të cilat u kanë hapur rrugë reformave në gjyqësi, kurse tash sa vite, në zbatim të provizioneve të Pakos së Ahtisaarit, në Kosovë po reformohet pushteti lokal, duke e decentralizuar atë dhe duke formuar komuna të reja, të cilat i kanë ofruar shërbimet më afër qytetarit dhe i kanë dhënë më shumë pushtet lokal komuniteteve pakicë, e në mënyrë të veçantë komunitetit serb.
Kosova respekton e mbron të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, të drejtat e pakicave, parimet e demokracisë parlamentare, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut. Të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë sigurohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të sanksionuara në instrumentet në fuqi dhe në përputhje me Pakon e presidentit Ahtisaari. Ndonëse komunitetet pakicë në Kosovë përbëjnë përqindje relativisht të vogël në strukturën e shoqërisë, Kuvendi i Kosovës, nga 120 vende deputetësh, 20 sosh i ka të rezervuara për pjesëtarët e këtyre komuniteteve, dhjetë për serbët dhe dhjetë për komunitetet tjera pakicë. Duke llogaritur edhe tre deputetë serbë të zgjedhur drejtpërdrejt, aktualisht numri i përfaqësuesve minoritarë arrin në 23. Dy nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, vijnë nga komunitetet pakicë, kurse në Qeveri ato përfaqësohen me një zëvendëskryeministër, tre ministra dhe disa zëvendësministra. Komunitetet pakicë përfaqësohen denjësisht edhe në administratën e Kosovës, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare në tërë Kosovën, kurse gjuhët e komuniteteve tjera zyrtarizohen, aty ku komuniteti përkatës arrin kuotën e 5% të strukturës së popullsisë lokale.
Megjithatë, decentralizimi dhe integrimi i një pjese të komunitetit serb ka ngecur ne veri të Kosovës, si rezultat i obstruksionit që po bën tash sa kohë Beogradi zyrtar, nëpërmjet të strukturave ilegale të ngritura atje e të financuara prej tij. Administrata e UNMIK-ut për vite të tëra i ka toleruar ndërhyrjet e Beogradit dhe ngritjen e strukturave ilegjitime e kriminale në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 30 mijë banorë. Rendi kushtetues dhe ligjor duhet të vendosen në veri të Kosovë, sepse qytetarët atje janë privuar nga të drejtat elementare, sepse sovraniteti i vendit dhe rendi kushtetues janë cenuar.
Ne kemi hyrë në dialog teknik me Serbinë, duke qenë të bindur që të dyja palët do të përfitojnë prej tij, por mbi të gjitha qytetarët tanë, duke e përmirësuar jetën e tyre të përditshme. Duke qenë ndërmjetësues Bashkimi Evropian në këtë dialog, ne shpresojmë që do të ushtrohet ndikim pozitiv mbi autoritetet serbe, për të hequr dorë nga strukturat kriminale të instaluara në veri, për t'i hapur rrugë veprimit efikas të institucioneve tona e të EULEX dhe për të bërë të mundur zgjedhjen e përfaqësuesve nga vetë qytetarët atje. Ky dialog, i filluar mbi bazën e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, që po zhvillohet tash sa muaj në raunde dhe i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka rezultuar me disa konkluzione e marrëveshje, por deri tashti Serbia nuk ka treguar ndonjë vullnet domethënës për zbatimin e tyre. Marrëveshja e fundit ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufijve, e cila do të duhej të ulëte tensionet në veri të Kosovës, të lironte rrugët për qarkullim të lirë të njerëzve e mallrave, të evitonte sulmet kriminale ndaj forcave të paqeruajtësve të KFOR-it dhe të pamundësonte veprimin kontrabandues në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. Nga të dyja palët janë pranuar parimet e përgjithshme të IBM-it evropian dhe sipas Traktatit të Lisbonës, por mbetet të nënshkruhet edhe një protokoll teknik dhe të zbatohet në terren. E ardhmja do të dëshmojë për vullnetin dhe seriozitetin e vërtetë të palës serbe. Sidoqoftë, ne dëshirojmë të besojmë që në këtë dialog, Serbia të mos ketë pasur të vetmin motiv, marrjen e statusit të kandidatit për BE. Ne besojmë gjithashtu që Bashkimi Evropian, para se të pranojë në gjirin e tij vendet e Ballkanit Perëndimor, të vendos si kusht zgjidhjen e të gjitha problemeve luftënxitëse e normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe të pamundësojë bllokimin e njëra-tjetrës në procesin historik të integrimit evropian.
Sa i përket Republikës së Kosovës, jemi gati t'i normalizojmë marrëdhëniet, sikur me të gjithë fqinjët edhe me Serbinë, por jo në dëm të integritetit territorial, të sovranitetit dhe të rendit kushtetues të vendit tonë. Në emër të një pakice serbe në Kosovë, Beogradi zyrtar, madje duke e instrumentalizuar një pjesë të saj, pengon ku të mundet, brenda e jashtë, shtetësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe pretendon hapur pjesë të territorit tonë. Duke qenë alternativa më e mirë dhe e vetme, ajo e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra edhe të Kosovës e Serbisë, ne konsiderojmë që pakica kombëtare shqiptare në Serbi dhe pakica kombëtare serbe në Kosovë, duhet të gëzojnë të drejtat kombëtare dhe demokratike të nivelit evropian e ndërkombëtar dhe të shërbejnë si ura lidhëse e bashkëpunimi midis vendeve tona.
Ka ardhur koha e qartësimit të hapave të Kosovës drejt integrimit evropian dhe fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë
Zonja dhe zotërinj
Ne konsiderojmë që ka ardhur koha e qartësimit të hapave të Kosovës drejt integrimit të përgjithshëm evropian dhe fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Bashkimi Evropian, në pajtim me qëndrimin e tij për perspektivën evropiane të Kosovës, këto ditë premtoi fillimin e shpejtë të dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, marrëveshjet tregtare, mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në BERZH dhe përfitime nga programet e BE-së.
Parlamenti Evropian, i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka marrëdhënie shumë të mira me Kuvendin e Kosovës, me të cilin mban takime të rregullta vjetore.
Një pengesë serioze për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian përbën fakti i mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Ne presim që edhe këto vende do të reflektojnë për qëndrimet e tyre, duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke i hapur vendit tonë mundësinë marrëdhënieve normale kontraktuale me BE-në dhe zhvillimin normal të procesit të integrimeve evropiane të tij.
Kosova ndjek politikë të jashtme parimore, në funksion të bashkëpunimit e të marrëdhënieve miqësore bilaterale e multilaterale dhe të forcimit të paqes e të sigurisë në rajon dhe në plan global. Nga të gjithë fqinjët tanë, vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe nuk ka denjuar të ketë marrëdhënie miqësore me të. Kosova gradualisht e ka forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke u pranuar anëtare e FMN dhe BB, duke marrë pjesë në shumë forume rajonale e ndërkombëtare të bashkëpunimit, por kemi akoma shumë përpjekje përpara që të bëhemi pjesë e barabartë e projekteve dhe iniciativave të bashkëpunimit dhe integrimeve rajonale. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, shteti i ri i Kosovës ndeshet me barriera të shumta të diplomacisë serbe, të cilat mund t'i përballojë vetëm me mbështetjen e miqve të saj. Kosova, pa të drejtë mbahet jashtë Këshillit të Evropës, jashtë OSBE-së, jashtë IPU etj., por edhe jashtë OKB-së e organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Në Kosovë po zhvillohen procese të rimëkëmbjes ekonomike dhe të zhvillimit me normë vjetore 4-6 për qind. Në periudhën e pas luftës ekonomia e Kosovës ka shënuar trende pozitive, por ajo akoma gjendet në fazat e para të zhvillimit të saj. Ekonomia e Kosovës aktualisht karakterizohet me një normë të lartë të papunësisë dhe disproporcion midis importeve dhe eksporteve.
Kosova ka potenciale të shumta zhvillimi e përparimi. Pavarësia ka krijuar kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj në Kosovë, siç janë siguria e stabiliteti politik, infrastruktura ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore, mjedisi i qëndrueshëm biznesor, të cilat bashkë me pasuritë e mëdha dhe potencialin rinor e fuqinë e lirë punëtore, po tërheqin investime të huaja, që do të mundësojnë zhvillim të shpejtë.
Kosova është në proces të forcimit të sundimit të ligjit në gjithë vendin. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është kthyer në një nga prioritetet e para të Kosovës, për të pastruar rrugën drejt një shteti të vërtetë ligjor, demokratik dhe të integruar në Evropën e Bashkuar.
Ne vazhdimisht e kemi çmuar misionin dhe rolin që ka EULEX në Kosovë, prandaj presim edhe në të ardhmen që me tërë potencialin e tij, në fushat e përgjegjësisë të na ndihmojë kudo në Kosovë, por në mënyrë të veçantë në veri të saj, ku qasja e institucioneve tona është e kufizuar.
Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, sa herë ndodhen midis miqve të saj, u kërkojnë atyre të vazhdojnë ta mbështesin atë në procesin e shtetndërtimit demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar e të integrimeve euroatlantike. Duke qenë i nderuar të jem sot para jush me këtë fjalë, nuk mund të bëj përjashtim nga kjo kërkesë e sinqertë dhe miqësore. Faleminderit shumë për vëmendjen dhe durimin tuaj", u shpreh kryekuvendari Krasniqi.