Lajmet e fundit
Nga aktivitetet e sotme kryeparlamntarit Krasniqi në Austri
, 16.12.2011
Në kuadër të vizitës zyrtare në Austri delegacion i parlamentar i Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, ka pasur sot një drekë pune me kryetarin e dytë të Këshillit Nacional të Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer. Në këtë takim të ngrohtë dhe miqësor është biseduar për gjendjen në Kosovë, me theks të veçantë për gjendjen në veri të vendit, për dialogun me Serbinë dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, pasi i ka shprehur qëndrimet e tij dhe të institucionit që e përfaqëson, për zhvillimet e përgjithshme në vend në kontekstin aktual, ka falënderuar shtetin e Austrisë dhe parlamentin e tij për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Ai është shprehur i bindur se Austria do të vazhdojë t'i kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe ta mbështesë Kosovën në planin e zhvillimit ekonomik dhe se Vjena zyrtare do të ndikojë pozitivisht për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në.
Kryetari i dytë i Këshillit Nacional të Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer ka theksuar se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, si në planin e zhvillimit ekonomik ashtu edhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Bashkëbiseduesit janë shprehur të vendosur për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve.
Kryeparlanmentari Krasniqi i shoqëruar nga: Xhavit Haliti e Enis Kervan, nënkryetarë të Kuvendit , Blerta Deliu-Kodra e Alma Lama, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, këshilltarët e kryeparlamtntarit, Bilall Sherifi e Skender Reçica, si dhe nga ambasadori i Republikës s Kosovës në Vjenë, Sabri Kiçmari, sot pas dite do ta vizitojë Landin e Eisenstadt, dhe do të takohet me anëtarët e parlamentit lokal të këtij landi.
Nesër delegacioni parlamentar i Kosovës kthehet në atdhe.