Lajmet e fundit
Mbledhja e Nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës
, 22.12.2011
Rregullorja për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovës, ishte temë diskutimi në mbledhjen e sotme të Nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës, të kryesuar nga kryetari i këtij nën-komisioni, Armend Zemaj.
Ndryshimi i protokollit të pranisë së përfaqësuesve të mediave në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, se përfaqësuesit e mediave vendosen në këndin për gazetarë dhe nuk mund të lëvizin, pa leje, nëpër ndërtesën e Kuvendit, ngjalli debat gjatë mbledhjes së sotme nga përfaqësues të mediave, të prirë nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arben Ahmeti.
Ata kërkuan nga anëtarët e komisionit që të shfuqizohet Rregullorja për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovës, si dhe gazetarët të kenë qasje në të gjithë ndërtesën e Kuvendit.
Me këtë rast kryetari i Nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës, Armend Zemaj, tha se bazuar në fushëveprimin e këtij komisioni, anëtarët e komisionit do të nxjerrin disa rekomandime për Kryesinë e Kuvendit, për rregulloren në fjalë.
Ai theksoi se në organin më të lartë ligjvënës duhet të ketë një rend, por ai rend duhet të jetë mbi bazë të kushteve dhe specifikave që i ka ambienti i Kuvendit.
Zemaj shtoi se kjo rregullore nuk është në frymën më të mirë demokratike që buron nga vetë Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit.
Gjatë këtij takimi anëtarët e Komisionit kanë vënë në pah se deputetët nuk kanë kushte të mira për punë, megjithatë shtuan se këtë hapësirë duhet ta ndajnë me publikun dhe mediat.
Disa nga anëtarët theksuan se deputetët kanë nevojë për privatësi, ndërsa disa nga anëtarët duke u bazuar në përvojat e shteteve tjera, theksuan se kjo çështje është mohim i të drejtave të gazetarëve.
Me këtë rast folën edhe anëtarët e komisionit, Ardian Gjini, Behar Selimi, Albulena Haxhiu, Alma Lama dhe Mufera Sinik.
Krejtësisht në fund anëtarët e komisionit përkrahën rekomandimin për Kryesinë e Kuvendit, që të rishqyrtojë vendimin mbi bazën e Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave, si dhe të ofrojë kushte më të mira për gazetarët.