Lajmet e fundit

Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

, 23.12.2011




Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, ka miratuar sot në parim propozim-amendamentet kushtetuese, të cilat mundësojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit. Në mbledhjen e Komisionit, e cila ka qenë e fundit në kuadër të planit të punës, kryetari i Komisionit, z. Arsim Bajrami, ka sqaruar se këto propozim- amendamente do të rivotohen edhe një herë në janar. Ky rivotim do të bëhet pasi Komisioni të marrë rekomandimin e Komisionit të Venecias dhe pasi amendamentet e votuara në parim sot, t'i nënshtrohen një redaktimi profesional që do të bëhet nga një grup i ekspertëve.

Në kuadër të mandatit Komisioni ka punuar në përgatitjen edhe të ligjit për zgjedhjen e Presidentit. Ky ligj do të jetë gati për t'u miratuar në Komision në gjysmën e dytë të muajit janar, kur edhe do të bëhet votimi përfundimtar i propozim- amendamenteve.

Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës, njëzëri ka miratuar kërkesën për mandat të ri me qëllim të rishikimit dhe amendamentimit të Nenit 84 që rregullon kompetencat e Presidentit.

Komisioni, po ashtu, ka shprehur gatishmërinë që në kuadër të mandatit të ri, të shqyrtojë edhe dispozitat kalimtare që ndërlidhën më pavarësinë e mbikëqyrur. Nëse për këtë ekziston vullneti politik.

Propozim-amendamentet kushtetuese, së bashku më projektligjin për zgjedhjen e Presidentit, do të dorëzohen në Kuvend para datës 22 janar, kur edhe përfundon mandati aktual i Komisionit.

Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës