Lajmet e fundit

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj priti në një takim përfaqësues të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës

, 23.12.2011




Anëtarë të Bordit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës u takuan me një delegacion të Kuvendit të të Rinjve, takim ky në të cilin morën pjesë deputetja Ganimete Musliu, njëherazi edhe kryetare e këtij grupi, si dhe deputetët anëtarë të bordit të këtij grupi, Biserka Kostiq, Rita Hajzeraj dhe Duda Balje.
Ky takim u realizua me qëllim që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj të informohet me fushëveprimtarinë e punëve që realizon ky kuvend për të rinjtë e vendit tonë si dhe për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.
Takimi filloi me një prezantim të shkurtër të punës dhe funksionimit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, që u bë nga kryetarja Ganimete Musliu. Ajo tha që grupi është grup mbi partiak që për qëllim ka mbrojtjen dhe fuqizimin e rinisë brenda institucionit të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të tjera. Gjithashtu ajo u tregoi të pranishmëve për natyrën e grupit, duke qenë joformal dhe kësisoj i pambështetur edhe aq nga kuvendi. "Grupi është duke punuar që të përfshihet në rregulloren e re të punës së Kuvendit, si grup formal, sepse duke qenë joformal po ka vështirësi në implementimin e aktiviteteve të ndryshme, të cilat deri me tani janë realizuar në mbështetje të OSBE-së", theksoi Musliu.
Ndërsa anëtarja tjetër e bordit, Rita Hajzeraj u shpreh se të gjithë deputetët e këtij grupi si qëllim të përbashkët e kanë fuqizimin e të rinjve, zgjidhjen e problemeve të tyre, përfaqësimin e tyre sa më të mirë në kuvend duke qenë sa më të paanshëm politikisht. Ajo, gjithashtu, tha se tashmë "do të prezantohemi thjesht si grup pasi që duke theksuar edhe anën joformale, nuk po merren edhe aq parasysh si grup". Qëllimi ynë, shtoi ajo, është që çdoherë e më shumë të shtohet numri i të rinjve në kuvend.
Ndërkaq deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Biserka Kostiq, tha se ishte e njoftuar për të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohet rinia e Kosovës, pa bërë dallime sipas përkatësisë etnike.
Kreshnik Cukaj, kryetar i Kuvendit të të Rinjve, tha se organizata e tyre është organizatë rinore e regjistruar si organizatë joqeveritare. Kuvendi i të Rinjve ka 50 deputetë. Ai tha se deri tani janë themeluar gjithsej 15 asamble rinore nga komunat, me gjithsej 5000 anëtarë, të cilat i kanë përfaqësuesit e tyre edhe në këtë kuvend, mirëpo është duke u punuar që asamble të tilla te themelohen së shpejti edhe në komunat e tjera.
Sipas Cukajt, ky kuvend, nga një vizitë që kishte bërë në Shqipëri, kishte nënshkruar atje edhe një memorandum mirëkuptimi e bashkëpunimi me Parlamentin Rinor të Shqipërisë, për të bashkëpunuar në realizimin e aktiviteteve të ndryshme. Kuvendi në vazhdimësi ka realizuar aktivitete lidhur me ditë të shënimin t ndonjë dite të veçantë. Ndër aktivitet e rëndësishme që ky kuvend ka realizuar, vlen të theksohet edhe interpelanca për Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi si dhe për atë të integrimeve evropiane.
Në pyetjen e deputetes Duda Balje, njëherazi anëtare e bordit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, se a do të kishte mundësi që kjo organizatë të bënte diçka lidhur me problemet me të cilat po ballafaqohen të rinjtë e komunitetit boshnjak nëpër universitetet e vendit për shkak të gjuhës, Leotrim Sahiti u përgjigj se organizata shumë shpejtë do të ketë edhe përfaqësuesin nga komuniteti boshnjak dhe pastaj bashkë me të do të mundohen që t'i zgjidhin edhe problemet e te rinjve nga ky komunitet.
Përfaqësuesit e Kuvendit të të Rinjve kërkuan nga deputetët e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj që të fillojnë amendamentimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, në mënyrë që në këtë ligj të përfshihet edhe kjo organizatë, të bëhet kategori e dalë nga ligji, për të pasur mbështetje financiare, duke qenë se deri më tani të gjitha aktivitetet i kanë realizuar me vetëfinancim. Ata gjithashtu kërkuan nga deputetët që të miratojnë edhe një ligj për fëmijët.
Të dy palët shprehën vullnetin që takime të ngjashme të ndodhin edhe në të ardhmen në mënyrë që të koordinohen përpjekjet për fuqizimin dhe zgjedhjen e problemeve rinore në çdo fushë.
Ky takim ishte në vazhdimësinë e takimeve që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj është duke realizuar me organizata dhe struktura që kanë lidhje me fushëveprimtarinë e këtij grupi.

 

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj priti në një takim përfaqësues të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës