Lajmet e fundit
Ceremonia zyrtare e hapjes së Projektit të Binjakëzimit financuar nga BE në Kuvendin e Kosovës
, 18.01.2012
Në kuadër të vizitës së kryetarit të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, z. László KÖVÉR, sot në Kuvendin e Kosovës u organizua ceremonia zyrtare e hapjes së Projektit të Binjakëzimit financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, i cili do të zbatohet posaçërisht nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë. Pasi përshëndeti homologun hungarez, z. László KÖVÉR, z. Sino nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, si dhe pjesëmarrësit tjerë, kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës, që nga konstituivi, e deri më tani është duke bërë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të tij si institucion funksional dhe efikas legjislativ. Vazhdimisht po shënohet përparim në ushtrimin e funksioneve që ka në ligjvënie, mbikëqyrje, përfaqësim të interesave të qytetarëve dhe në ngritjen, zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale administrative. Institucionet shtetërore janë gjithnjë të angazhuara në një proces të përhershëm reformash për t'iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe sfidave të kohës me të cilat përballen.
Mbështetje në procesin e përafrimit të legjislacionit me normat dhe standardet e BE-së
Në vijim kryekuvendari Krasniqi tha se Kosova, përkatësisht Kuvendi i saj, që nga konstituimi e deri më tani është përkrahur dhe mbështetur vazhdimisht nga shumë parlamente të shteteve të ndryshme, organizata qeveritare dhe joqeveritare. Kuvendi vazhdon rrugëtimin e konsolidimit të tij institucional me përkrahje të mëtejme nga organizata, institucione dhe parlamente të konsoliduara dhe me traditë demokratike siç është edhe ky moment i inaugurimit zyrtar të fillimit të projektit të Binjakëzimit.
Ky projekt është i një rëndësie të veçantë për Kuvendin e Kosovës , ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë dhe po implementohet nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë.
Projekti i Binjakëzimit ndërlidhet drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit të punës së Kuvendit në ushtrimin e funksioneve të tij, me theks të posaçëm në avancimin funksionit mbikëqyrës, transparencës së punës, forcimit të kapaciteteve administrative, rritjes së profesionalizmit, të cilësisë së punës dhe të shërbimeve nga ana e administratës.
Projekti do të mbështesë Kuvendin e Kosovës edhe në procesin e përafrimit të legjislacionit me normat dhe standardet e BE-së përmes:
- përmirësimit të kapaciteteve legjislative dhe të mbikëqyrjes,
- forcimit të menaxhimit të resurseve njerëzore,
- përmirësimit të kapaciteteve për përafrim me legjislacionin e BE-së,
- forcimin e rolit të Komisionit për Integrime Evropiane dhe
- ngritjen e njohurive të stafit dhe të deputetëve për çështjet e integrimit evropiane dhe aki komunitare ( acquis communitare).
-
Projekti në fjalë do të ndihmojë në rrugën, të cilën duhet ta ndjekë Kuvendi drejt përmbushjes së standardeve të një Kuvendi demokratik dhe do të shërbejë si praktikë e rrugëtimit në përmbushjen e detyrave që dalin nga procesi historik i integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës, por edhe të planeve dhe objektivave që ka para vetes, theksoi kryekuvendari Krasniqi.
"Me këtë rast dua ta falënderoj Bashkësinë Evropiane dhe Zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë për mundësimin e realizimit të këtij projekti, si dhe Kuvendin Kombëtar të Hungarisë për bashkëpunim të mirë dhe miqësor që kemi", u shpreh z. Krasniqi.
Bashkimi Evropian do të ofrojë modele të këndelljes së shteteve të Rajonit nga pasojat e luftës
Duke iu drejtuar të pranishmëve, z. László KÖVÉR, kryetar i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, në fillim i bëri një vështrim historik të kaluarës së Ballkanit , në këtë mes edhe të Kosovës, duke u ndalur edhe në kontributin e forcave të NATO-së që dhanë në mbrojtjen e Kosovës, për të krijuar kushte e hapësirë drejt integrimit evropian të saj. Intervenimi i forcave të NATO-s në Kosovë krijoi kushte për stabilitet në Ballkan, në funksion të zgjerimit të BE-së edhe me shtete nga ky Rajon. Bashkimi Evropian, tha në vijim z. László KÖVÉR, do të ofrojë modele të këndelljes së shteteve nga pasojat e luftës."Ne do të ndihmojmë në stabilitetin e Kosovës sipas kritereve evropiane. Kosova ka mundësi historike për të ecur përpara. Do të angazhohemi për tranzicioni i Kosovës të bëhet në mbështetje me përvojat më të mira të shteteve të BE-së. Hungaria me praktikat më të mira do të shërbejë si shembull i mirë i përafrimit të Kosovës drejt BE-së. Do të angazhohemi që disa gabime që kanë bërë disa shtete në rrugën drejt BE-së, të mos i bëjë Kosova. Hungaria do ta përkrahë integrimin evropian të Kosovës, jo me deklarata , por praktikisht, siç do të veprohet edhe më këtë Projekt binjakëzimi, në kuadër të të cilit brenda dy vjetësh do të realizohen 75 programe në Kosovë.
Z. Khalodn Sinno, ushtrues i detyrës së shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, theksoi se Kosova ka një të ardhme evropiane, në funksion të të cilit do të jetë edhe ky projekt, në kuadër të të cilit angazhime kryesore do të jenë legjislacioni,proceset financiare dhe integrimet. Ai shfaqi shpresën se ky partneritet në mes BE-së, Hungarisë, Komisionit Evropian dhe Kosovës do të jetë i suksesshëm, madje ai do të vazhdojë edhe pas periudhës dyvjeçare.