Lajmet e fundit

Kryekuvendari hungarez z. László KÖVÉR u takua me përfaqësues të dy komisioneve parlamentare

, 19.01.2012




Përfaqësues të Komisionit për Punë të Jashtme, si dhe të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës u takuan sot me kryetarin e Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, z. László KÖVÉR.

Me këtë rast deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkuan nga kryekuvendari hungarez që ky shtet ta mbështesë Kosovën në procesin liberalizimit të vizave dhe të integrimeve evropiane, si dhe të ndikojë tek pesë shtetet e BE-së ta njohin Kosovën.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, duke i dëshiruar mirëseardhje delegacionit hungarez të prirë nga Kryetari i Kuvendit të Hungarisë, falënderoi shtetin hungarez për njohjen e shtetit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Gjatë këtij takimi Kurti tha se shteti i ri i Kosovës vazhdon të përballet me sfida të shumta meqë akoma nuk kemi zhvillim të mjaftueshëm ekonomik dhe kemi varfëri e papunësi të madhe në vend. Ai tha se përveç mungesës së zhvillimit ekonomik, kemi edhe problemin e madh politik. "Çereku i territorit tonë është i mbuluar nga strukturat ilegale e armiqësorë të Serbisë që kanë për qëllim ta bëjnë shtetin e Kosovës jo funksional që të dështojë, duke deklaruar se duan model të Bosnjës për Kosovën.", theksoi Kurti.

Tutje ai shtoi se ekziston koncensus brenda forcave politike në Kuvendin e Kosovës për integrime evropiane dhe jemi të interesuar që Kosova sa më parë të bëhet shtet normal, me të drejtë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe kjo të ndodh sa më parë.

Deputeti Kurti tha se duhet të ndodhin sa më shumë marrëveshje dhe bashkëpunime multilaterale, por duke qenë së 5 shtete të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, vendit i është imponuar që të bëjë sa më shumë marrëveshje bilaterale me shtetet të cilat e kanë njohur atë.

"Në kuadër të Integrime Evropiane marrëveshjet bilaterale janë të domosdoshme dhe në këtë aspekt e shohim bashkëpunimin me Hungarinë, në mënyrë që njohjet e deritanishme të materializohen dhe të forcohen", tha Kurti duke përshëndetur dhe falënderuar delegacionin hungarez për vizitën në vend.

Kryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, László KÖVÉR, theksoi se Hungaria do të vazhdojë angazhimin e saj që Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë dhe secilit shtet që nuk është anëtar i BE-së, t'i ofrohet mundësia e anëtarësimit në BE.

Duke folur rreth çështjeve të cilat ngritën përfaqësues dhe deputetë të komisioneve parlamentare, kryekuvendari hungarez László KÖVÉR, tha se Hungaria është e përkushtuar në vazhdimin e integrimeve evropiane dhe zgjerimin e BE-së dhe se askush nuk ka arsye që të dyshojë në sinqeritetin dhe përkushtimin e tyre në këtë drejtim. "Ju falënderojmë që na keni nderuar me besimin që keni zgjedhur pikërisht Hungarinë që të jetë partneri implementues i binjakëzimit. Kuvendi i Hungarisë do të jap ndihmën e vet rreth procesit përgatitor në rrugën drejt BE-së dhe besojmë që gjatë këtyre dy vjetëve ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi", theksoi kryekuvendari hungarez duke folur për Projektin e Binjakëzimit të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë me Kuvendin e Kosovës.

Me këtë rast foli edhe nënkryetari i Kuvendit dhe i Komisionit për Integrime Evropiane, Xhavit Haliti, duke theksuar se Kosova tashmë ka hyrë në një proces negociues ku pretendohet të jemi pjesë e Evropës, mirëpo duke qenë në dijeni për vështirësitë që do t'i ketë vendi, përpjekjet do të vazhdojnë për të dhënë provimin që Kosova të bëhet pjesë e Evropës.

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, mes tjerash tha se të gjithë janë në dijeni se vendi duhet të ketë një sponsor të fuqishëm politik për të hyrë në Evropë dhe ne kërkojmë një mbështetje të tillë. "Kërkojmë ndihmë në mënyrë që ta ndërtojmë Kosovën si një vend normal, andaj, na nevojitet ndihmë ekonomike dhe zhvillim i brendshëm".

Në vijim ai foli për çështjen e liberalizimit të vizave, duke theksuar se Kosova ka prani enorme të BE-së si mbikëqyrës, e në anën tjetër paradoksalisht ajo është vendi më i mbyllur. "Ky vend ka nevojë për hapje, për ndihmë, por jo për kontroll", tha me këtë rast Hamiti.

Gjatë këtij takimi foli edhe deputeti dhe nënkryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Hydajet Hyseni-Kaloshi, i cili tha se Kosova ka nevojë për ndihmën e vendeve mike. "Kosovës i duhet ndihmë edhe në diplomacinë parlamentare dhe për këtë na duhet ndihma juaj edhe në prezantimin e interesit të Kosovës, në procesin e njohjeve të Kosovës, në vendet ku ne nuk kemi ndikim", theksoi Hyseni. Ndërsa, deputetja dhe anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Alma Lama, duke falënderuar kryekuvendarin hungarez për bashkëpunimin dhe projektin e binjakëzimit kërkoi nga shteti i Hungarisë që në Parlamentin Evropian në të cilin së shpejti do të kalojë një rezolutë për Kosovën, të hiqet pjesa nën rezolutën 1244.

 

Kryekuvendari hungarez z. László KÖVÉR u takua me përfaqësues  të dy komisioneve parlamentare