Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

, 20.01.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti mbledhjen e saj të parë në sesionin pranveror të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti). Pas shterimit të pikave e përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, për të cilat çështje u përgjegjën kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrat : Hajredin Kuçi, Ramë Buja, Bedri Hamza, Bajram Rexhepi, Enver Hoxhaj dhe Fehmi Mujota, deputetët debatuan edhe për ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje!, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Fillimisht, për këtë çështje foli nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, deputeti Sabri Hamiti, për të shprehur shqetësimin e kësaj partie për zhvillimet e fundit në vend. Hamiti theksoi se LDK-ja kërkon fuqishëm funksionim demokratik të institucioneve të Kosovës dhe kryerjen e detyrave në bazë të Kushtetutës së vendit, ndërsa kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë vendimet e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se për vendime të mëdha duhet të ketë konsensus.

Deputeti Rexhep Selimi, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, po ashtu shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e krijuar ditëve të fundit, siç u shpreh ai për dhunën e Policisë së Kosovës ndaj protestuesve.
Ai tha se gjatë protestave paqësore të 14 janarit, Qeveria reagoi egërsisht kundër interesave të Republikës së Kosovës, duke rrahur dhe arrestuar protestuesit me urdhër politik. "Duhet ta mbrojmë institucionin e Policisë së Kosovës, në mënyrë që ky institucion të kthehet në mbrojtje të shtetit, e jo të pushtetit", tha Selimi duke potencuar faktin se Qeveria shkeli mbi vendimin e Kuvendit.

Në vazhdim të mbledhjes para deputetëve të Kuvendit mori fjalën edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, për të përshëndetur hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave. Ai tha se hapja e këtij dialogu është një ditë gëzimi për qytetarët e Kosovës.

Duke falënderuar gjithë spektrin politik kosovar, shoqërinë civile dhe të gjitha autoritetet komunale për kontributin e dhënë në këtë drejtim Thaçi theksoi se Kosova do të trajtohet si institucion në mënyrë të barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket zhvillimeve të fundit, kryeministri Thaçi u bëri ftesë deputetëve për debat dhe bashkëpunim në mënyrë që mos të krijohen sjellje të pahijshme dhe të futet në qorrsokak perspektiva e vendit. "Sa më shumë bashkëpunim dhe punë të përbashkët, ne do të jemi shumë më afër liberalizmit të plotë të vizave. Sa më tepër të sillemi në mënyrë evropiane, aq më afër do të jemi zyrtarisht në Evropë", tha kryeministri Thaçi.

Më tej, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, foli deputeti Adem Grabovci, duke u mbështetur në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Ai paraqiti kërkesën e kësaj partie që në rend dite të jetë debati në parlament lidhur me zhvillimet e fundit në vend, për ngjarjet e 14 janarit, duke kërkuar po ashtu miratimin e mocionit me rekomandimin që Qeveria e Kosovës të ketë kompetenca të plota në zbatimin e masave të reciprocitetit, si dhe ajo t'i raportojë Kuvendit çdo tre muaj për mbarëvajtjen e masave të reciprocitetit me Serbinë. Ai tha se ky vendim duhet të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit në Kuvend, si dhe të shfuqizojë vendimet tjera që kanë të bëjnë me këtë çështje.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje! paraqiti kërkesën për debat për politizimin e Policisë së Kosovës dhe dhunën e 14 janarit.

Deputetët përkrahën kërkesën për debatin e propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, por jo edhe rekomandimet e propozuara nga kjo parti, meqë siç theksuan ata rekomandimet do të dalin gjatë diskutimeve të deputetëve. Kurse, kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje!, nuk mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit.

Para nisjes së debatit lidhur me zhvillimet e fundit në vend, deputetët shqyrtuan kërkesën e Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, për mandat shtesë, të cilën kërkesë e arsyetoi kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami, që ka të bëjë me ndryshimin e nenit 84, për përcaktimin e kompetencave të Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kërkesa e këtij komisioni, e cila njëkohësisht ishte edhe kërkesë e 31 deputetëve të Kuvendit, u përkrah me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit.

Ndërsa, mbështetjen e deputetëve me shumicë votash e mori edhe Ratifikimi i Marrëveshjes financiare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, për përmirësimin e sistemeve të ngrohtores qendrore.

Tutje, deputetët debatuan për ngjarjet e javës së kaluar, sipas kërkesës së PDK-së, për të cilën çështje në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli sërish deputeti Adem Grabovci. Ai theksoi se të gjithë janë për masa reciprociteti, mirëpo ajo që ka ndodhur gjatë ditës së 14 janarit ishte një keqpërdorim me qytetarët. "Rruga nuk është vendi përmes së cilës zgjidhen problemet dhe rruga për dhunë është e papranueshme. Ky është vendi ku duhet të debatohet dhe të merren vendime. Ju lusim që të mos shkëputeni nga rruga institucionale, si rrugë e vetme dhe e drejtë për zgjidhjen e të gjitha shqetësimeve", tha me këtë rast Grabovci.

Gjatë diskutimit të tij ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili foli në emër të qeverisë, tha se MPB-ja duke konsideruar një formë të tillë të shfaqjes së pakënaqësisë joligjore ka marrë veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës. Rexhepi, duke përshkuar në detaje ngjarjet e 14 janarit tha se Lëvizja Vetëvendosje! nuk ka paraqitur kërkesën për protestë, bazuar në dispozitat e nxjerra nga Kuvendi, ndërsa konstatoi se kjo ka shkelur parimet publike.

Ai tha se udhëheqës dhe aktivistë të Vetëvendosjes të përkrahur edhe nga qytetarë tjerë ishin nisur në drejtim të pikës kufitare në Merdare duke bllokuar rrugën. Me këtë rast ai sqaroi se policia ka kërkuar nga protestuesit që të largohen nga rrugët ndërsa pas provokimit të tyre është intervenuar nga njësitet e rendit dhe më pas me njësitet e specializuara.

"Përkundër përpjekjeve të policisë për ta liruar rrugën, protestuesit nuk iu janë bind urdhrave dhe pastaj ka filluar debllokimi i rrugëve. Protestuesit kanë vazhduar të hedhin gjëra të forta me ç‘rast ka pasur lëndime të zyrtarëve policor. Më pastaj janë përdorur pajisje dhe mjete të autorizuara zyrtare", tha Rexhepi, duke sqaruar mes tjerash se me këtë rast janë lënduar 29 zyrtarë policor dhe disa aktivistë të Vetëvendosjes. Tutje, ministri Rexhepi ka folur edhe për ngjarjet e asaj dite në Dheu i Bardhë, duke treguar edhe bilancin e kësaj dite.

Duke theksuar se e gjitha është ndërmarrë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi dhe duke pasur për qëllim ruajtjen e rendit publik, Rexhepi theksoi se për shkak sjelljeve të dhunshme të protestuesve Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë, me qëllim të lirimit të rrugës dhe mundësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe qarkullimit të mallrave.

Rexhepi, po ashtu ka sqaruar se për çdo tejkalim të autorizuar nga ana e PK-së, do të ndërmerren masa konkrete, ndërsa shtoi se janë duke zhvilluar hetime. Krejtësisht në fund ai tha se kohëzgjatjes së gazit lotësjellës nuk i ka skaduar afati.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, foli edhe deputeti Ismet Beqiri, i cili mes tjerash tha se mocioni i votuar nga Kuvendi është dashur të jetë obligim i Qeverisë. Ai tha se qeveria nuk e ka kryer punën siç duhet, por nuk e arsyetoi veprimin që gjërat të merren në dorë nga ana e partive dhe të rrezikohen qytetarët. "LDK shpreh shqetësimin vet dhe nuk përkrah përdorimin e dhunës dhe arrestimin e nënkryetarit të Kuvendit, dhe deputetëve", tha Beqiri, duke shtuar se këmbëngulja për veprime të Qeverisë, duhet të bëhet brenda institucioneve.

Visar Ymeri, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! tha se në kohën kur është votuar mocioni në Kuvend për reciprocitet të plotë ka pasur trysni të ndryshme për ta kthyer atë në rivotim. "Qeveria shpërfilli vendimin e Kuvendit dhe tregoi se nuk e ka ndërmend ta zbatojë atë. Kur paralajmëruam protesta Thaçi filloi sulmin duke na krahasuar me strukturat ilegale të Serbisë, ndërsa nuk merrej me obligimet e vendit, por me Vetëvendosjen, të cilët kishin vendosur t'i dalin në mbrojtje këtij vendi", tha Ymeri. Ai shtoi se gjatë protestave të 14 janarit Qeveria ka sulmuar, rrahur, plagosur dhe arrestuar të gjithë protestuesit, duke përmendur mes tjerash edhe arrestimin e deputetëve dhe nënkryetarit të Kuvendit, siç u shpreh ai për t'ia hapur rrugën Serbisë që mallrat e saj ta uzurpojnë tregun e Kosovës.

Duke kritikuar kërkesën e PDK-së për mocion, theksoi se shfuqizimi i vendimit të Kuvendit e dobëson Kuvendin, ndërkaq mocionin e quajti mocion qesharak dhe antikushtetues.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ahmet Isufi, Qeverinë e Kosovës e quajti qeveri të papërgjegjshme, dhe kritikoi atë edhe për arrestimin e deputetëve të Kuvendit, duke shtuar se kjo nuk bazohet në parimet e demokracisë. Ai kërkoi nga qeveria që ta zbatojë çdo vendim që del nga parlamenti dhe çdo marrëveshje që arrihet me Serbinë duhet të del në parlament, duke përfunduar me thirrjen për konstruktivitet në zbatim të vendimeve të Parlamentit.

Edhe deputetja Myzejene Selmani, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AKR-së tha se Kuvendi është organi në të cilin të gjitha partitë duhet të debatojnë për procesin, ndërsa shtoi se për çështjen e dhunës nga ana e policisë duhet të jap secili përgjegjësi përmes strukturave vendimmarrëse. "Kërkojmë nga qeveria zbatim të masave të reciprocitetit, t'i tejkalojmë mosmarrëveshjet dhe të arrihet një pajtim", tha Selmani.

Gjatë diskutimit të deputetëve u tha se të gjitha pakënaqësitë duhet të menaxhohen me mjete ligjore dhe se ekzistojnë mjetet demokratike për t'i shprehur pakënaqësitë për punën e Qeverisë. Qeveria duhet t'i zbatojë vendimet e Kuvendit qoftë përmes interpelancave parlamentare, qoftë përmes mocionit të investigimit parlamentar dhe në rast se nga investigimi parlamentar del se Qeveria nuk ka punuar mirë, atëherë ekziston mocioni i mosbesimit, theksuan disa nga deputetët.

U kërkua që të ketë përgjegjësi institucionale e partiake nga personat e papërgjegjshëm, meqë është dëmtuar imazhi i Kosovës.. Gjithashtu, gjatë këtij diskutimi u theksua se duhet të ketë rezolutë dhe të dalin konkluzione të qarta në Kuvend, me ç‘rast të kërkohet nga Qeveria që të implementojë politikat e reciprocitetit.

Disa nga deputetët duke përshkruar skenat e 14 janarit, si skena rrënqethëse për secilin nga ta, theksuan se deputetët nuk duhet të keqtrajtohen nga Qeveria dhe kjo sipas tyre është anikushtetuese.

U tha po ashtu se qeveria duhet t'i korrigjojë gabimet e saj dhe të zbatojë reciprocitetin e plotë me Serbinë.

Duke theksuar se në protestat e 14 janarit, pati dhunë nga ana e PK-së, deputetë të Vetëvendosjes theksuan se atë ditë Qeveria varrosi të drejtën e protestës dhe varrosi demokracinë. Ndërkaq, theksuan se dhuna ka qenë e provokuar, e shkaktuar dhe e zbatuar me urdhër të Qeverisë.

Më tej disa nga deputetë rekomanduan që të formohet një komision brenda Kuvendit që të shqyrtojë zbatimin e reciprocitetit dhe të hetojë ndodhitë e 14 janarit.

Pas debatit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me ngjarjet e 14 janarit, foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai mes tjerash tha se për kufijtë e Kosovës do të ketë kritere dhe standarde evropiane dhe se Qeveria do të vazhdojë të punojë me përkushtim për perpektiven e vendit, duke respektuar standardet më të larta perëndimore. "Dallimet politike duhet të përgjigjen këtu, e jo në rrugë. Duhet të respektojmë parimin demokratik dhe debatet tona t'i zhvillojmë në Parlament, sepse vetëm këtu mund t'i zgjedhim dilemat tona, me një komunikim normal dhe jo urrejtës, fyes dhe denoncues. Ftoj grupin politik që debatin mos ta bart në rrugë, por ta respektojë jetën institucionale. Të shmanget rruga, dhuna dhe të bisedojmë në institucione pa u ndalur, por në asnjë rrethanë, askush të mos pretendojë atë debat ta zhvillojë në rrugë...Rruga nuk është zgjidhje, por Parlamenti" u shpreh kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, duke i quajtur të papranueshme edhe akuzat që po i bëhen Policisë së Kosovës.

Pas shterimit të debatit për këtë çështje foli deputeti Adem Grabovci, i cili paraqiti propozimet e rekomandimeve të Grupit Parlamentar të PDK-së, ndërkaq kundër këtij mocioni u deklaruan shefat e grupeve parlamentare të LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje!, si dhe të AAK-së, duke theksuar se rekomandimet e propozuara nuk ishin reflektim i këtij debati.

Krejtësisht në fund, deputetët me shumicë votash miratuan mocionin e propozuar nga PDK-ja dhe Koalicioni Qeverisës.

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes procesit të dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre të tërësishëm.
2. Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të vendosë për masat përkatëse reciproke për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe implementimin e konkluzioneve të arritura.
3. Qeveria obligohet t'i raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit.
4. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Kuvendit në lidhje me këtë çështje.

Mbledhja e Kuvendit vazhdon punimet gjatë ditës së hënë (23 janar) në orën 14: 00.

 

Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit