Lajmet e fundit

Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 23.01.2012




Në vazhdimin e sotëm të seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 20 janarit, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi Xhavit Haliti, deputetët shqyrtuan për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Projektligjin para deputetëve e prezantoi Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, e cila tha se ky Projektligj përbën bazë të qëndrueshme për zhvillimin e bujqësisë, dhe njëherësh lehtëson realizimin e politikave të zhvillimit rural. Pastaj fjalën e mori Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i cili paraqiti qëndrimin e Komisionit për të përkrahur procedimin e këtij Projektligji për shqyrtim në Kuvend. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje ishte edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë. Përkitazi me këtë Projektligj, para deputetëve paraqiti mocionin e Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, me anë të të cilit kërkohej, që ky Projektligj, të tërhiqet nga shqyrtimi për shkak se është e nevojshme të bëhen disa ndryshime dhe plotësime. Kuvendi përkrahu mocionin e Qeverisë dhe ky Projektligj u tërhoq përkohësisht nga shqyrtimi.

Në vijim u shqyrtua Projekt-Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën e prezantoi kryetari i Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit, Armend Zemaj, i cili në mënyrë të gjerë njoftoi deputetet me ndryshimet dhe plotësimet kryesore që janë bërë në Projekt-Rregulloren e re të Kuvendit. Gjatë debatit, u dhanë mendime se kjo Projekt-Rregullore është shumë e mirë, më e avancuar dhe në pajtim me praktikat parlamentare evropiane, megjithatë, disa diskutues dhanë edhe vërejtje, plotësime e sugjerime në tekstin e kësaj Projekt- Rregulloreje.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ngriti çështjen e Komisionit të Përhershëm Kushtetues, duke theksuar se ky Komision do të duhej të udhëhiqej nga kryetari i Kuvendit, ndërsa kjo duhet të sanksionohet edhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Kryekuvendari Krasniqi, ndërkaq, nuk është shprehur i sigurt se forcimi i pozitës së konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare në raport me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit do ta shtojë efikasitetin e punës së legjislativit të vendit. Ai theksoi se Projekt- Rregullorja duhet të jetë plotësisht në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në vijim Kuvendi miratoi Projektligjin për rregullimin e tokës dhe Projektligjin për Policinë.

 

Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së KosovësVazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së KosovësVazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së KosovësVazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës