Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

, 24.01.2012




Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme kishte në rendin e ditës shqyrtimin e 4 projektligjeve.

Përkitazi me shqyrtimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, nr. 04/L-44, i cili gjendet në fazën përfundimtare të amendamentimit, në këtë mbledhje Komisioni nuk u përcaktua për amendamentet e propozuara, meqë ndërkohë Komisionit iu dorëzua një material nga OSB-ja, që përmbante disa rekomandime nga Direktiva evropiane, që kanë të bëjnë me lëmin e fushëveprimtarisë që përfshin ky Projektligj. Gjatë debatit u tha se ishte e udhës që ky material të dorëzohej në fillim të punës së amendamentimit të Projektligjit, në mënyrë që ato të shqyrtoheshin me kohë. Në përfundim të debatit rreth kësaj çështjeje, u mor qëndrim që nga materiali i propozuar, ekspertët e OSBE-së, bashkë me ekspertët e këtij Komisioni, të bëjnë disa amendamente dhe ato t'i dorëzohen Komisionit për shqyrtim, në fillim të javës së ardhshme.

Në këtë mbledhje Komisioni përkrahu në parim tri projektligje: Projektligjin për Diasporën e Kosovës, nr.04/L-95, Projektligjin për Bibliotekat në Republikën e Kosovës, nr. 04/L-97 dhe Projektligjin për teatrot, nr.04/L 106.

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media