Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 26.01.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka miratuar në shqyrtim të parë 12 projektligje.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së, Kuvendi ia ktheu qeverisë Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, ndërsa vazhdoi punimet me pikat e tjera të rendit të ditës.

Projektligji për personat e verbër dhe personat pjesërisht të verbër u prezantua nga zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, i cili theksoi se nëpërmjet këtij projektligji caktohen rregullat për sigurimin e bazës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie të qytetarëve.

Deputetët shfaqën qëndrimet e tyre në lidhje me këtë projektligj dhe pas shterjes së diskutimeve, e miratuan atë në shqyrtim të parë.

Në cilësi të sponsoruesit, ministri i Financave, Bedri Hamza, prezantoi para deputetëve shtatë projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, Projektligjin për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit doganor dhe akcizave, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat dhe Projektligjin për fondet pensionale të Kosovës.

Ministri Hamza theksoi se këto projektligje janë pjesë e strategjisë legjislative të Qeverisë së Kosovës dhe marrin për bazë praktikat më të mira evropiane në këto lëmi, duke synuar avancimin e infrastrukturës ligjore ekzistuese në fushat përkatëse që mbulojnë projektligjet e prezantuara.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financave, Safete Hadërgjonaj, ndërkaq, arsyetoi rekomandimet e komisionit për miratimin e këtyre projektligjeve në shqyrtim të parë.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetët e tjerë gjatë diskutimeve, vlerësuan, përgjithësisht, me tone pozitive përmbajtjet e këtyre projektligjeve, por dhanë edhe vërejtje për nene të caktuara, duke kërkuar përmirësimin e tyre gjatë procesit të amandamentimit në komisionin funksional.

Kuvendi miratoi këto projektligje dhe konform rregullores, ngarkoi komisionin përkatës që brenda afat të përcaktuar t'ia sjell seancës raportet me rekomandime.

Në një deklarim para deputetëve në lidhje me Projektligjin për fondet pensionale të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Krasniqi, tha se është mirë që është shtuar mundësia që mjetet e Trustit Pensional të investohen në Kosovë dhe kërkoi nga ministritë e linjës që të shikojnë mundësitë për gjetjen e një rruge për rritjen e pensioneve të gjeneratës aktuale të pensionistëve.

Në vazhdim të punimeve, Kuvendi procedoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, për të cilin foli ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Kuvendi e miratoi edhe këtë projektligj.

Zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, paraqiti shkurtimisht përmbajtjen e Projektligjit për diasporën e Kosovës, duke vlerësuar se ky projektligj, ndër të tjera, ka për qëllim ruajtjen e identitetit dhe zhvillimin kulturës së diasporës, si dhe lidhshmërinë e saj me Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës, e cila ndihmon në organizimin e mërgimtarëve në shtetet e ndryshme.

Në diskutimet e tyre, deputetët identifikuan një varg të metash në përmbajtjen e projektligjit dhe kërkuan që përmirësimet e nevojshme të bëhen gjatë shqyrtimit në komision.

Projektligji u miratua nga Kuvendi dhe komisioni përkatës parlamentar u ngarkua për shqyrtimin e mëtejmë të tij.

Ligjvënësit miratuan në shqyrtim të parë edhe Projektligjin për bibliotekat në Republikën e Kosovës dhe atë për teatrot, të cilët i prezantoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Në përgjigje të fjalimit të deputetes Albulena Haxhiu, e cila e konsideroi nënçmuese për femrat përmbajtjen e disa fjalëve të urta në fletoret e punës që iu janë shpërndarë deputetëve të Kuvendit, kryetari Jakup Krasniqi, në emër të Kuvendit dhe të administratës, i kërkoi falje Grupit Parlamentar të Grave Deputete dhe shtoi se fletoret do të hiqen nga përdorimi.

 

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës